Suedia ashpërson masat, qeveria merr kompetenca shtesë për të vepruar kundër COVID-it

Evropë

Suedia ashpërson masat, qeveria merr kompetenca shtesë për të vepruar kundër COVID-it

Më: 8 janar 2021 Në ora: 22:31
Stefan Lofven

Qeveria suedeze vendosi të premten ashpërsimin e rregullave për distancimin social në qendra tregtare, palestra dhe grumbullime private, si dhe u shpreh e gatshme për të mbyllur bizneset, por sërish nuk vendosi për një izolim total për të frenuar përhapjen e pandemisë së coronavirusit.

Ashpërsimi i masave erdhi pasi më herët gjatë ditës Parlamenti votoi për t’i dhënë qeverisë më shumë kompetenca për të vepruar, pasi deri më sot në vend kundër virusit ishin aplikuar vetëm masa vullnetare.

“Sot, qeveria nuk ka vendosur mbylljen e bizneseve, por ajo është gati të marrë një vendim të tillë. Kjo nuk është diçka të cilën ne e kemi marrë lehtshëm, por në lojë janë jeta dhe shëndeti i njerëzve, ndaj duhet të stabilizojmë situatën”, deklaroi kryeministri Stefan Lofven.

Nga e diela, palestrat, qendrat sportive, ato tregtare dhe pishinat do të kenë një numër të caktuar vizitorësh. Krahas kësaj, grumbullimet private do të kufizohen në 8 persona.

Numri i vdekjeve në Suedi është 9.433 raste, një kuotë disa herë më e lartë se ajo e fqinjëve të saj nordikë nëse llogaritet për banor, por më e ulët se në shumë vende evropiane që kanë zgjedhur izolimin total.

Sidoqoftë, pavarësisht fuqizimit, qeverisë vazhdojnë t’i mungojnë mjetet për të vendosur masa më radikale sikurse është bërë në vendet e tjera të Evropës.

Edhe pse Parlamenti votoi, qeveria nuk do të mund të vendosë shtetrrethime apo ndalim të udhëtimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat