Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, duke i propozuar BE-së që të ketë një certifikatë vaksinimi , në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e lirë të njerëzve që janë vaksinuar kundër Covid-19 .
Referuar letrës theksohet se është urgjente të miratohet një kuptim i përbashkët se si duhet të strukturohet një çertifikatë vaksinimi në mënyrë që të jetë e pranueshme nga të gjitha shtetet anëtare.
Kryeministri Mitsotakis shprehet se sigurimi i rikthimit sa më të shpejtë të mundshëm të lëvizjes së lirë është një përparësi themelore për të gjithë.
“Kjo mund të tingëllojë e thjeshtë, por përvoja e gjatë që kemi për zhvillimin e një PLF (Formulari i Gjurmimit të Pasagjerëve) të përbashkët na ka treguar se ekziston një nevojë urgjente për një nivel të lartë të mobilizimit në nivelin e BE-së në mënyrë që gjërat të ecin përpara”, shkruan Mitsotakis.
Letra i drejtohet presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ku shpresohet të arrihet sa më shpejt në një mirëkuptim të përbashkët midis vendeve të BE-së për krijimin e një certifikate të përbashkët të vaksinimit, e cila më pas do t’i hapi rrugë lëvizjes së lirë së qytetarëve, duke liruar në këtë mënyrë edhe ekonominë dhe industrinë e turizmit.