Sigurimi i votëbesimit Dhomën e Deputetëve dhe në Senat duket se nuk mjaftoi për të siguruar qëndrueshmërinë e qeverisë Conte. Mediat vendase raportojnë se kryeministri italian, Giuseppe Conte pritet të japë dorëheqjen për të formuar më pas një qeveri, ku të ketë mazhorancën.
Sipas mediave italiane, Conte synon të gjejë një marrëveshje që jep një perspektivë të qartë politike për të qeverisur deri në fund të legjislaturës.
Mediat vendase shkrujanë se Conte mund t'i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Sergio Mattarella më 26 janar dhe më pas të krijojë një koalicion të ri që do të formohej nga anëtarët e qendrës dhe të ashtuquajturve "të përgjegjshmit" të parlamentit.
Kriza politike në shtetin fqinj nisi kur partia e Matteo Renzit Italia Viva tërhoqi dy ministrat, për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve sa i përket buxhetit të rimëkëmbjes dhe ndarjes së granteve të BE. Conte i mbijetoi votës së mosbesimit, por ai nuk arriti të siguronte një shumicë absolute në Senat.