Gjermania ka të ngjarë që të përballet me një mungesë të vaksinave kundër COVID-19 deri të paktën në muajin prill.
Kështu ka paralajmëruar Ministri i Shëndetësisë së këtij vendi.
“Ne do të kemi megjithatë të paktën 10 javë të vështira me mungesë”, ka shkruar Jens Spahn në Twitter.
Ritmi i vaksinimit në Gjermani është kritikuar, derisa nuk është arritur objektivi ditor i vaksinimit.
Komentet e Spahn vijnë në mes të një mosmarrëveshje mes BE-së dhe prodhuesit të vaksinës AstraZeneca lidhur me mungesat e furnizimit.
Kompania me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë se për shkak të çështjeve të prodhimit në impiantet e saj në Europë nuk do të jetë në gjendje që të ofrojë numrin e premtuar të dozave në bllokun me 27 anëtarë.
Por, Bashkimi Europian ka thënë se kompania duhet të respektojë zotimet e saj dhe të ofrojë dozat duke marrë edhe nga stoku i Mbretërisë së Bashkuar.