I cilësuar si "Super Mario", njeriu i sfidave të pamundura Mario Draghi, nis sot ditën e parë si kryeministër i mandatuar i Italisë në përpjeke për të formuar një qeveri të re.
Ish presidenti i Bankës Qendrore Evropiane pranoi me rezerva detyrën e dhënë nga presidenti Mattarella duke nënvizuar se është një moment i vështirë por kjo emergjencë kërkon një reagim të duhur.
Sikundër edhe kreu i shtetit është shprehur se për të udhëhequr Italinë gjatë periudhës së pandemisë duhet një qeveri e një profili të lartë dhe një qeveri jo-politike.
Teksa kërkohet një unitet i partive, kuadri politik mbetet ende i paqartë. Luigi di Maio nga Lëvizja ‘5 yjet’ shprehet hapur kundër qeverive teknike.
Ndërkohë për kreun e Partisë Demokratike Zingaretti, Mario Draghi është figura qe mund të nxjerrë Italinë nga pasiguria.
Qendra e djathtë, me në krye Giorgia Meloni ofron abstenimin në këmbim të unitetit duke kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme. Salvini i ‘Lega Nord’ po ashtu këmbëngul tek votimi si rrugën kryesore të zgjidhjes politike, ndërsa Berlusconi i ‘Forza Italia’ shprehet se pret të dëgjojë propozimin e Draghi.
Ish kryeministri Matteo Renzi i cili drejton ‘Italia Viva’ shprehet se është i lumtur që një personalitet si Draghi do të drejtojë vendin. Sipas tij legjislatura e Draghit do të vijojë deri në vitin 2023.
Tanimë është detyra e ish kreut te bankës Qendrore t’i japë një drejtim politikës së shtetit fqinj, pasi është një nga vendet më të prekura nga kriza e shkaktuar nga pandemia.