Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka urdhëruar themelimin e dy fakulteteve të reja në universitetin më prestigjioz të vendit, i cili është përfshirë nga protestat e studentëve dhe profesorëve.
I publikuar të shtunën në gazetën zyrtare, vendimi i Erdoganit sjell themelimin e fakultetit juridik dhe fakultetit të komunikimit në Universitetin Bogazici, shkruan Independent.
Kritikët thonë se themelimi i dy fakulteteve të reja do t’ia mundësojë rektorit të zgjedhur nga presidenti që t’i mbushë ato me individë besnikë të qeverisë. Grupet e studentëve që po protestojnë kundër rektorit të ri e kundërshtuan vendimin e presidentit, duke thënë se ai është përpjekje për okupim dhe kundër lirive akademike.
Për disa javë, studentët e këtij universiteti kanë mbajtur protesta kryesisht paqësore kundër emërimit të rektorit të ri, Melih Bulu, i cili ka lidhje me partinë në pushtet, AK Parti, që udhëhiqet nga Erdogani. Studentët po bëjnë thirrje për dorëheqjen e rektorit dhe zgjedhjen e një rektori të ri nga vetë universiteti.
Zyrtarë të lartë të qeverisë turke kanë thënë se grupe terroriste janë duke i provokuar protestat, ndërsa vetë Erdogani i ka quajtur terroristë protestuesit.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian e kanë kritikuar mënyrën se si autoritetet kanë reaguar ndaj protestave.