Kryeministri i mandatuar Mario Draghi vijon konsultimet me partitë politike për të formuar një qeveri stabiliteti e cila do të jenë në gjendje të menaxhojë krizën e shkaktuar nga pandemia. Pas takimit me ish kreun e Bankës Qendrore evropiane kreu i Lega Nord , Matteo Salvini u shpreh se partia e krahut të djathtë do të vendoste javën e ardhshme nëse do të mbështesë një qeveri të udhëhequr nga Mario Draghi, por në diskutime kishin gjetur pika të përbashkëta.
"Ne nuk vendosim kushte, unë e bëj këtë premisë. Në gazeta lexojmë se partitë e tjera brenda ose jashtë kësaj dhome po vendosin kushte, duke vënë veto. Ata thonë "jo me Lidhjen", "jo me Salvini”, "jo me sovranistët”. Ne nuk vumë kushte, jo për njerëzit, as për idetë, as për lëvizjet. Është një kohë kur para cdo lloj interesi partiak apo personal duhet të vendoset interesi më i mirë për vendin. Ne duam të jemi pjesë e një qeverie që shkon në Bruksel duke mbajtur kokën lart në emër të interesit kombëtar dhe ka marrëveshje të plotë në këtë drejtim", thotë Salvini.
Kreu i Lëvizjes 5 yjet, Vito Crimi pasi takimit me Draghi u shpreh se kjo lëvizje politike është e gatshme te mbështesë një qeveri me një mazhorancë solide.
Partitë më të mëdha të Italisë po vlerësojnë nëse duhet të mbështesin përpjekjet e Draghi për të formuar një qeveri pasi vetot ende bllokojnë rrugën e tij për në pushtet. Ndërsa një pjesë e vogël e partive kanë premtuar mbështetje, përfshirë armiqtë tradicionalë, Partia Demokratike e qendrës së majtë (PD) dhe e djathta e qendrës Forza Italia, Draghi duhet të gjejë mbështetje më të gjerë për të siguruar një shumicë në të dy dhomat e parlamentit.
Grupi i dytë më i madh në parlament, Lidhja e krahut të djathtë, ka thënë se nuk do të mbështesë asnjë qeveri të mbështetur nga Lëvizja 5 Yjet, ndërsa PD ka shprehur kundërshtimin e saj për t'u bashkuar me një shumicë me lega Nord. Mund të duhet pak kohë para se situata të bëhet e qartë. Draghi planifikon të zhvillojë një raund të dytë bisedimesh me partitë javën e ardhshme.