Si fillim, gjellë bazë dhe ëmbëlsirë. Të gjitha nga një euro.
Ekipi tek restoranti “Le Reflet” në Paris ofron dy herë në javë një menu të balancuar për studentët në vështirësi financiare. Presidenti Emmanuel Macron u ka premtuar studentëve universitarë dy vakte në ditë për një euro, për t’i ndihmuar gjatë bllokadës anti-COVID.
“Jemi një hallkë e vogël, një grimcë rëre. E dinim që kur e filluam këtë biznes. E kuptojmë që ka kërkesë dhe ajo mund të nxisë restorante të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse kanë furnizues që do t’i ndihmonin me donacione të ushqimeve, unë u them përse të mos e bëni? Është e nevojshme,” – u shpreh Olivier Vellutini, menaxher i restorantit “Le Reflet” në Paris.
Subvencionet do të marrin formën e një kuponi që studentët mund të paguajnë edhe nëse ndjejnë nevojën të flasin me një psikolog.
Kjo vjen pas protestave ku u bë thirrje për më shumë ndihmë kundër vetmisë dhe problemeve financiare. Studente si Nastassia Grouchetzky kanë përfituar nga oferta.
“Për një kohë të gjatë, për disa muaj, ishte vetëm shpërndarja e ushqimeve. Ndaj mund të mbushje frigoriferin dhe dollapët. Kjo është hera e parë që rashë në kontakt me restorantin, me vakte të vogla por të mira dhe të përgatitura me perime. Më pëlqejnë pasi kanë shije të mirë, ndryshe nga makaronat dhe orizi,” – tregoi studentja.
Një kombinim i izolimit dhe pasivitetit i ka lënë shumë studentë pranë depresionit, sipas psikologëve të universitetit, ndaj nisma të tilla janë të mirëpritura.