Shpërndahet ‘AstraZeneca’, ngarkesat e para mbërrijnë në Itali, Francë dhe Spanjë

Evropë

Shpërndahet ‘AstraZeneca’, ngarkesat e para mbërrijnë në Itali, Francë dhe Spanjë

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:49
Ministria e Shëndetësisë parashikoi se italianët mund ta marrin vaksinën në fjalë duke nisur nga java e ardhshme

Ngarkesa e parë me vaksina të “AstraZeneca”, 249 mijë e 600 doza, mbërritën në Itali të shtunën.

Ministria e Shëndetësisë parashikoi se italianët mund ta marrin vaksinën në fjalë duke nisur nga java e ardhshme.

Qeveria shprehu megjithatë, zhgënjimin për numrin e vaksinave të marra deri tani nga prodhuesit.

Pritshmëritë fillestare ishin se Italia do të merrte 28 milionë doza në tremujorin e parë të 2021-shit, ose 9 milionë në muaj. Vetëm 2 milionë mbërritën në janar, shumë më pak nga sa pritej.

Edhe Franca mori stoqet e para të “AstraZeneca” ditën e shtunë, me dozat e para që u administruan në një spital të Lionit.

Stoku për 117 komplekse ishte i vogël, 273 mijë e 600 dhe i rezervuar për punonjësit e shëndetësisë nën 65 vjeç.

Franca e ka kufizuar vaksinimin për moshat nga 50 në 64 vjeç, pavarësisht rekomandimit të Agjencisë Evropiane të Medikamenteve, se mund të përdoret për të gjithë të rriturit.

 “Ne po nisim sot vaksinimin me ‘AstraZeneca’ pasi morëm 7.700 doza. Jemi të parët që e nisim procesin pas ngarkesës së marrë natën e kaluar. 100 vaksinime janë planifikuar sot në këtë qendër nga ora 2 deri në mbrëmje”, thotë Valerie Durand Roche, drejtoreshë e spitalit Edouard Herriot.

Stoku i parë i vaksinave të së njëjtës kompani, me 196 mijë e 800 doza mbërriti në Spanjë.

Është vaksina e tretë që mbërrin në vend deri tani pas atyre të “Pfizer/BioNTech” dhe “Moderna”.

Autoritetet spanjolle vendosën t’ua administrojnë atë njerëzve nga 18 në 55 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat