Anëtarë të Lëvizjes 5 Yje të Italisë votuan të enjten për të mbështetur Kryeministrin e zgjedhur Mario Draghi, duke i hapur rrugën ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane për të ardhur në krye të një qeverie të gjerë të unitetit kombëtar këtë javë.
Në një votim në internet, 59.3% e mbështetësve të 5-Yjeve iu përgjigjën një thirrjeje të udhëheqësve të partisë për të mbështetur administratën e re, pavarësisht faktit se ajo përfshin disa nga kundërshtarët e tyre kryesorë dhe do të drejtohet nga një teknokrat që ata kanë kritikuar më parë.
Pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme për shkak të grindjeve brenda koalicionit, Presidenti Sergio Mattarella i bëri thirrje zotit Draghi, një nga figurat më të respektuara në Itali, të formonte një kabinet të ri për t’u marrë me krizën shëndetësore të koronavirusit dhe rënien ekonomike.
Ai pritet t’i paraqesë të premten listën e tij të ministrave presidentit Mattarella dhe të shpallë programin e tij politik javën e ardhshme në parlament, i cili më pas do të zhvillojë votëbesimin në të dyja dhomat përpara se qeveria të marrë zyrtarisht detyrën.
Fitorja është e garantuar, por një numër ligjvënësish të 5 Yjeve kanë lënë të kuptohet se mund të votojnë 'jo' ose të abstenojnë pavarësisht nga votimi në internet, duke hapur rrugën për një përçarje të mundshme.
Lëvizja 5 Yje lindi në vitin 2009 si një parti anti-sistem, anti-euro dhe disa nga ligjvënësit e saj kanë kërcënuar se do të shprehen kundër zotit Draghi pavarësisht nga votimi në internet.
Anëtarët e lëvizjes mbajtën votime të ngjashme përpara se të formonin koalicione fillimisht me Lidhjen e djathtë në 2018 dhe më pas me Partinë Demokratike të qendrës së majtë në 2019. Fitorja në ato dy raste ishte shumë më e madhe, përkatësisht 94% dhe 79%.
Ndërsa diferenca e së enjtes ishte më e ngushtë, votimi është përsëri një fitore për zotin Draghi dhe nënkupton se asnjë parti e vetme nuk ka fuqinë për të rrëzuar qeverinë e tij./VOA