Nuk janë ndalur protestat kundër burgosjes me 9-muaj të reperit majtist Pablo Hasel në Barcelonë.
Për të 5-tën natë radhazi, manifestuesit u përleshën ashpër me policinë e duke u vënë flakën kazanëve të mbeturinave në rrugët e kryeqendrës së rajonit të Katalonjës. Prangat iu vunë dhjetëra protestuesve.
Me fytyrë të mbuluar me justifikimin e zbatimit të rregullave anti-COVID, grupe protestuesish sulmuan edhe dyqane të markave të shtrenjta në bulevardet kryesorë të Barcelonës.
Ata thyen xhamat e vitrinave duke rrëmbyer ç’të mundnin, skena që të kujtojnë protestat e jelekëverdhëve në Paris që nisën në Tetor 2018. Pablo Hasel u shpall fajtor për fyerje të monarkisë dhe thirrje mbështetjeje për grupin separatist të shpërbërë ETA, i konsideruar si terrorist nga autoritetet spanjolle.