Italianët nderuan të enjten dy zyrtarë shteti të ekzekutuar në republikën e Kongos tri ditë më parë.
Funeralet për ambasadorin, Luka Atanasio, dhe për truprojën e tij, Vito Iakovaçi, u zhvilluan në Romë.
Ceremonisë së përmortshme shtetërore iu bashkuan kryeministri Mario Dragi, anëtarë të kabinetit dhe parlamentarë italianë.
Me një mesazh drejtuar presidentit, edhe Papa Françesko ngushëlloi familjet, duke i quajtur viktimat, persona me cilësi të jashtëzakonshme njerëzore e të krishtere, të cilët dëshironin paqen në Kongo.
Ambasadori 43-vjeçar po shoqërohej si pjesë e stafit të Kombeve të Bashkuara kur ai dhe të tjerët u ndaluan nga persona të armatosur në një zonë me rrezik të lartë konfliktesh në lindje të vendit.
Viktimat u detyruan të dalin nga makinat, të ecin drejt një zone të pyllëzuar ku edhe u qëlluan.
Ambasadori Atanasio humbi jetën pas transportit në spital.
Presidenca e shtetit afrikan ka informuar se nga e mërkura, të gjithë diplomatët e huaj do të duhet të raportojnë çdo lëvizje që bëjnë brenda vendit.
Ndërkohë, Italia ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes.
Autoritetet kongoleze fajësojnë grupin rebel për Çlirimin e Ruandës, ndërsa ata ia ngarkojnë përgjegjësinë për sulmin, ushtrisë kongoleze.