Nxënësve në Berlin të Gjermanisë do t’u ofrohet mundësia për ta përsëritur vitin shkollor për shkak të pengesave që kanë pasur si pasojë e pandemisë vitin e kaluar dhe këtë vit.
Deputetët që e përfaqësojnë rajonin e Berlinit me vota e përkrahën ndryshimin e ligjit për t’ua mundësuar nxënësve aplikimin për përsëritjen e një viti shkollor, shkruan The Guardian.
Deri më tani, për këtë gjë nuk kanë mundur të vendosin nxënësit apo prindërit e tyre. Shpesh, kjo mundësi është përshkruar si pasqyrë negative e performancës së një nxënësi, duke bartur me vete edhe një dozë stigmatizimi.
Rregulla e re do të vlejë për fëmijët nga klasa e parë deri në të dhjetën apo për fëmijët e moshës 6 deri në 16-vjeçare.
Prindërit që duan që fëmija i tyre ta përsërisë vitin e shkollor duhet të dërgojnë një aplikacion me shkrim te udhëheqësit e shkollës dhe më pas duhet të zhvillojnë takim me një përfaqësues të shkollës për të vendosur se çfarë është më së miri për nxënësin/en.
Sidoqoftë, duket se jo të gjithë janë të kënaqur me këtë vendim. Një grup i udhëheqësve të shkollave e kundërshtoi mundësinë që nxënësit ta përsërisin vitin, duke thënë se ekziston frika për “katastrofë të organizimit”, përfshirë klasat me shumë nxënës, mungesë të mësimdhënësve dhe hapësirës.