Qindra vetë dolën në protesta në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, me thirrjet për lirimin e udhëheqësit të opozitës, Nika Melia, pasi ndalimi i tij kërcënon të thellojë krizën politike që çoi në dorëheqjen e kryeministrit të vendit javën e kaluar.
Me flamujt gjeorgjianë në duar, protestuesit marshuan përmes qendrës së kryeqytetit dhe u mblodhën para parlamentit për të protestuar kundër ndalimit të zotit Melia si dhe me thirrjet për zgjedhje të reja parlamentare pas votimeve të vjetshme që u pasuan nga kritika.
Policia e ndaloi të martën zotin Melia, kryetar i partisë opozitare, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (UMB). Forcat e rendit u futën në zyrat e partisë dhe u përleshën me përkrahësit e aktivistit gjatë arrestit.
Nika Melia është akuzuar se ka nxitur dhunë gjatë protestave në qershor 2019. Ai i hedh poshtë akuzat si të motivuara politikisht.
Ky incident solli dorëheqjen e Kryeministrit Giorgi Gakharia pas paralajmërimeve se ndalimi i aktivistit Melia mund të thellojë përçarjet politike në këtë vend me 3.7 milionë banorë.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim lidhur me ndalimin e aktivistit opozitar duke thënë se mund të dëmtojë përpjekjet për dialog mes opozitës dhe partisë në pushtet.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka në plan të vizitojë Gjeorgjinë javën e ardhshme në kuadër të një turneu në tre vende, ku përfshihen edhe ndalesa në Moldavi dhe Ukrainë.
Zoti Michel do të takohet me zyrtarë të lartë gjeorgjianë, ndër ta Presidenten e vendit Salome Zourabichvili, Kryeministrin Irakli Garibashvili, i cili u zgjodh të hënën nga parlamenti për të zëvendësuar zotin Gakharia, si dhe përfaqësues të opozitës.
Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” fitoi zgjedhjet parlamentare vjet në tetor, por opozita tha se votimet u manipuluan dhe u shoqëruan me shkelje të shumta. Zoti Melia pat thënë në atë kohë se partia e tij nuk e njihte rezultatin dhe ka bërë thirrje për përsëritjen e votimeve./VOA