Komisioni Europian njoftoi se shumë shpejt do të fillojë procedurën ligjore kundër Britanisë pas vonesës së njëanshme në zbatimin e marrëveshjes së Brexit-it për Irlandën e Veriut.
Zv.presidenti i Komisionit, Maroš Šefčovič, tha se njoftimi i qeverisë britanike erdhi si “surprizë shumë negative”.
Ministri britanik i Shtetit, David Frost, tha se qeveria do të zgjaste periudhën transitore që lehtëson tregtinë midis Irlandës së Veriut, që vijon të jetë pjesë e tregut të përbashkët dhe Britanisë deri në një zgjidhje përfundimtare.
Reagimi i Londrës zemëroi Brukselin që akuzoi qeverinë e kryeministrit Boris Johnson se nuk po përmbushte zotimet e traktatit që parashikon mos vendosjes e kufirit midis provincës së Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Në një intervistë me gazetën “Financial Times|, zv./presidenti Šefčovič, që është përgjiegjës për zbatimin e marrëveshjes së Brexit-it, tha se Komisioni Europian po punon për nisjen e procedurës ndëshkimore për shkeljen e marrëveshjes.
“Ne jemi duke punuar dhe përgjigjja do të jetë shumë e shpejtë,” tha ai.
Deklarata vjen pasi kryeministri Boris Johnson u përpoq të minimizojë seriozitetin e mosmarrëveshjes.
“Jam i sigurtë që me pak vullnet këto probleme teknike do të zgjidhen tërësisht,” tha Johnson.
Tensioni ka mbërritur deri në Parlamentin Europian ku ligjvënësit thonë se do të vonojnë ratifikimin e marrëveshjes së plotë.
Protokolli i Irlandës së Veriut në marrëveshjen e Brexit kërkon që provinca të zbatojë ligjet dhe standardet e BE-së dhe të vendosë kontrolle kufitare për mallrat që vijnë nga Britania e Madhe.