Pas “Sputnik V” në Rusi janë zhvilluar edhe dy vaksina anti-COVID, mirëpo ende nuk kanë përfunduar të gjitha fazat klinike të studimit.
Pritjet e shkencëtarëve janë të mëdha në këtë vend.
Moska zyrtare pretendon të vaksinojë shumicën e popullatës deri në vjeshtë. Sipas planeve, deri në fund të majit, Rusia do të prodhojë 50 milionë doza të vaksinave anti-COVID.
Të tri vaksinat tashmë kanë marrë miratimin për përdorim, ndonëse për dy ende nuk kanë përfunduar fazat e treta të studimeve klinike. Njësoj edhe “Sputnik V” në gushtin e vitit të shkuar u aprovua për miratim, ndonëse nuk kishte përfunduar fazën e tretë të studimeve klinike.
Dy vaksinat tjera në Rusi janë EpiVakKorona dhe KoviVak. Priten edhe vaksina të tjera. Për shembull “Mir-19” ka kaluar fazën e parë të studimeve, shkruan DË.
EpiVakKorona mbështetet në antigjene sintetike kimike, që do të thotë se nuk përmban virusin e gjallë. Antigjeni është substancë që shtyn organizmin të prodhojë antitrupa. Fazën e tretë të studimeve klinike, kjo vaksinë pritet të zhvillojë deri në fund të majit. Megjithatë vaksina u është dhënë tashmë shumë qytetarëve në Rusi, e edhe në Turkmenistan, ku raportohet se janë imunizuar me të 45.000 persona.
Para disa ditësh, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pret që instituti Vektor, që ka zhvilluar vaksinën “EpiVakKorona” të dorëzojë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që ekspertët e OBSH-së të vlerësonin atë.
Kjo vaksinë ruhet në frigorifer të thjeshtë. Rusët thonë se në fazat e para ka treguar efikasitet të lartë.
“KoviVak”
Këtë vaksinë e ka zhvilluar qendra “Cumakov”, degë e Akademisë së Shkencave të Rusisë. Vaksina nuk është përmendur ende nga OBSh-ja, sikurse as nga “clinicaltrials.gov”, portali zyrtar amerikan që përcjell studimet klinike nëpër botë.
Problem mund të shkaktojë ndoshta që një qendër e SHBA-së po zhvillon vaksinë anti-COVID me të njëjtin emër.
Nga ajo që dihet, KoviVak shfrytëzon teknologjinë standarde – virusin joaktiv, i cili nuk mund të infektojë pacientin, por mund të iniciojë në prodhimin e antitrupave. Ekspertët rusë besojnë se kjo teknikë do të jetë efikase të te gjitha variantet e COVID që po qarkullojnë nëpër botë.
Agjencia ruse Tass, përcjell se vaksina KoviVak mund të jetë e përshtatshme sidomos për personat më moshë dhe ata me sëmundje kronike.
Në qendrën “Cumakov” thonë se vaksina ruhet në temperatura nga 2 deri në 7 gradë Celsius, pra në frigorifer normal.
“Sputnik V”
Vaksina e parë ruse, “Sputnik V” është krejt tjetër. Është vaksinë me vektor. Në dy doza të vaksinës, shfrytëzohen vektorë të ndryshëm, në mënyrë që vaksina të jetë efikase për kohë të gjatë.
Që nga miratimi i kësaj vaksine nga autoritetet vendase, ka kaluar së paku gjashtë teste klinike në Rusi, Indi, Venezuelë, Bjellorusi dhe Emiratet Bashkuara. Deri më tash është miratuar për përdorim në mbi 40 vende. Nga shtetet anëtare të BE-së, këtë vaksinë e ka miratuar vetëm Hungaria.
Thuhet se efikasiteti i kësaj vaksinë është mbi 90 për qind.