Luksemburgu ka ndaluar përdorimin e vaksinës së Covid-19 të prodhuar nga AstraZeneca. Vendimi u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë, Paulette Lenert, e cila tha se janë në pritje të testimeve të mëtejshme nga ekspertët mjekësore europianë.
Luksemburgu nuk ka vaksinuar asnjë person me dozat e vaksinës që kishte nga kjo kompani, bëri të ditur një burim nga Ministria e Shëndetësisë.
Vendimi erdhi pasi Danimarka dhe vendet e tjera evropiane pezulluan vaksinën pas raporteve që katër pacientë në Austri u diagnostikuan me mpiksje gjaku.
Bullgaria ishte vendi i fundit që kishte pezulluar vaksinën e AstraZeneca, pas Danimarkës, Islandës, Italisë, Rumanisë, Austrisë dhe Norvegjisë.
Deri më tani, rreth 5 milionë europianë kanë marrë dozat e para të AstraZeneca-s, ndërsa në Britaninë e Madhe janë 11 milionë të vaksinuarit me dozën e parë.
Vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Australia dhe Meksika, kanë thënë se janë duke vazhduar me përdorimin e vaksinës, ndryshe nga vendet që e kanë pezulluar përdorimin e AstraZeneca.