Greqia ka regjistruar numrin më të lartë të personave të intubuar prej dhjetorit të kaluar gjatë fazës se dytë të pandemisë. Autoritetet mjekësore kanë njoftuar se 545 pacientë me Covid-19 ndodhen në këto momente në dhomat e posaçme të intubimit dhe sistemi spitalor vazhdon të ndodhet në një presion të paparë pasi çdo ditë ka mesatarisht 440 shtrime personash të prekur nga koronavirusi.
Gjithashtu në kulmin e valës së tretë, vazhdon të mbetet i lartë numri i të infektuarëve, pasi janë regjistruar përsëri mbi 2500 raste gjatë së shtunës pas rreth 50000 testeve të kryera, ndërsa me 52 të vdekur në 24 orët e fundit numri i viktimave tashmë ka shkuar në 7038.
Komisioni i specialistëve ka shtyrë edhe për të pakten dy javë masat kufizuese, ndërsa Greqia mban rekordin në Europë për periudhën e gjatë të lockdoënit në të gjithë vendin.
Kujtojmë se Selaniku dhe shumë qytete të Greqisë së veriut janë në muajin e pestë të mbylljes së përgjithshme ndërsa edhe Athina e zona të tjera të vendit në muajin e katërt. Madje të premten është dhënë urdhri që edhe ato pak shkolla të arsimit 9-vjeçar që funksionin, të mbyllen për dy javë.
Zyrtarë të lartë të qeverisë deklarojnë se duhet edhe pak durim për të filluar gradualisht lehtësimi i masave.
Ndërkohë vaksinimi i popullsisë vazhdon me ritme të ngadalta kjo edhe për shkak të vonesës së furnizimit me vaksina, problem me të cilin përballet tashmë shumica e vendeve të BE.