Pas një periudhe relativisht të qetë, situata në një spital në periferi të Bergamos në Itali është ende e vështirë.
Të gjithë shtretërit në kujdesin intesiv janë të zënë nga pacientë të infektuar me COVID-19 e që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndonëse ka kaluar një vit që nga nisja e pandemisë ende dyshimet janë të forta nëse jemi duke kaluar një valë të tretë.
"Nëse shohim situatën epidemiologjike, ajo po përkeqësohet. Është shqetësuese. Në qarkullim janë variantet e reja sidomos ai britanik. Po shohim kreshtën e një vale të tretë që po krijohet në vendet anëtare dhe ne e dimë se duhet të përshpejtojmë ritmet e vaksinimit,” – u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ndërsa argumentet shtohen rreth vaksinave, prodhimi, furnizimi dhe siguria e tyre, gjithnjë e më shumë vende të Bashkimit Europian po rivendosin kufizime apo edhe bllokime kombëtare. Polonia është mes tyre ku së fundmi është raportuar për 25000 raste të të infektuarve.
"Ne kemi marrë një vendim për të futur të njëjtat kufizime. Jemi duke kufizuar aktivitetin e qendrave tregtare në të gjithë vendin, kinematë, teatrot, muzetë dhe duke kthyer mësimin dhe punën në distancë,” – u shpreh Adam Niedzielski, ministër i Shëndetësisë në Poloni.
Në Spanjë autoritetet kanë rivendosur kufizime të udhëtimit në disa rajone. Masa të marra për të parandaluar rritjen e të infektuarve ndërsa ministri i Shëndetësisë paralajmëroi se pas një rënie shtatë-javore e shkallës kombëtare të infeksioneve tani po shënohet sërish rritje.
Në Francë parisianët janë paralajmëruar që kryeqyteti francez që është një nga qendrat më të nxehta të infeksioneve ka të ngjarë të përballet me një bllokim të ri, qeveria pritet të bëjë me dije masat e reja.
Në Mbretërinë e Bashkuar njerëzve u kërkohet të mbjellin një pemë në kujtim të të dashurve të tyre që kanë humbur jetën nga COVID. Për të nisur projektin, organizatorët kanë ngritur një kopsht përkujtimor me shirita të verdhë ku janë printuar emrat e viktimave.