Mbajtja pezull për një kohë të gjatë e ligjit për transgjinorët në Spanjë, ka sjellë hyrjen e tyre në grevë urie. Drafti që është publikuar deri tani mundëson zgjedhjen e gjinisë për individët mbi 16 vjeç, pa dhënë një raport mjekësor për shkaqet e këtij vendimi.
“Ligji do të parandalonte bulizmin në shkolla, ai do të na ndihmonte që të mos vazhdojnë të na trajtojnë si të sëmurë mendorë në sistemin shëndetësor, dhe gjithashtu do të na lejonte që të përmbushnim standardet evropiane për sa i përket identitetit ligjor”, thotë Mar Cambrolle, president i Federatës së Komunitetit Transgjinor në Spanjë.
Ky ligj do të bënte të dukshme problemet e njerëzve si Darko. Ai është një transgjinor, i cili nuk identifikohet as si plotësisht mashkull dhe as si plotësisht femër. Ligji i ri do të përshpejtonte procedurat aktuale.
“Duhen vite të tëra në mënyrë që një individ të ndryshojë detajet në kartën e tij të identitetit, dhe ka njerëz që po përballen me shumë vështirësi. Fakti që nuk ka akoma një opsion të tretë në kartën e identitetit, më bën që të mendoj që nuk jam realisht unë në të”, shprehet Darko Decimavilla, transgjinor.
Megjithatë, ka zëra brenda vetë qeverisë se mbetet shumë për të bërë. Disa shoqata feministe dhe disa juristë mendojnë se duhet bërë një diagnostikim në disa fusha. Sipas Jesus Encabo është mirë që procedurat po përshpejtohen, por ka ende shumë dyshime.
“Nuk besoj që procedura duhet minimizuar deri në atë pikë që të dëmtojë sigurinë e vetë personit. Duke u mbështetur në filozofinë e ligjit, ligjet krijohen për të zgjidhur problemet e njerëzve", thotë Jesus Encabo, drejtues i një firme avokatie për komunitetin LGBT.
Qeveria është shprehur se po analizojnë legjislacionin e vendeve të tjera evropiane. Nëse Spanja miraton draftin paraprak, ajo do të jetë ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që kanë miratuar një ligj të tillë. Vetëm Holanda lejon përcaktimin e gjinisë në moshën 16-vjeçare, pa miratimin e prindërve. Danimarka, Malta, Luksemburgu, Irlanda, Belgjika dhe Portugalia e lejojnë atë në moshën 18-vjeçare.
Franca dhe Greqia gjithashtu e mundësojnë atë, por kërkojnë një procedurë ligjore. Është vetëm një vend që nuk pranon ndryshimin, edhe pse paraqitet një diagnozë mjekësore dhe ajo është Hungaria.
Tani topi është në fushën e dhomës së deputetëve të Spanjës, ku 4 formacione politike janë deklaruar pro këtij ligji, i cili do të diskutohet në fund të muajit mars. Ndërkohë që transgjinorët dhe familjet e tyre po vazhdojnë protestat në Madrid dhe në qytete të tjera të Spanjës.