Duke parë situatën ku ndodhemi mund të themi se ajo është më e mirë nga sa ishte dhe mund të përmirësohet më tej gjatë vitit.
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde e bëri vlerësimin e saj mbi ekonominë e Eurozonës, duke theksuar megjithatë se impakti i pandemisë vijon të prekë jo vetëm financat, por çdo aspekt të jetës sonë.
“Kuota e lartë e infektimit nga coronavirusi, përhapja e mutacioneve të tij, zgjatja dhe ashpërsimi i masave kufizuese vijojnë të kenë një impakt negativ ndaj aktivitetit ekonomik të zonës euro.
Për pasojë, GDP-ja ka gjasa të kontraktohet sërish në tremujorin e parë të vitit, pasi ra me 7 pikë përqindje në tremujorin e fundit të 2020-s”, u shpreh Christine Lagarde, presidente e BQE-së.
Ndërkohë, në Britani, lehtësimi i kufizimeve, suksesi i programit të vaksinimit dhe buxheti ekspansionist i qeverisë në një afat të shkurtër ka gjasa të përshpejtojnë rimëkëmbjen, ka deklaruar Banka e Anglisë.
Institucioni bankar e bëri vlerësimin e tij për ekonominë britanike të enjten, por sqaroi se është ende herët për të reduktuar mbështetjen dhe stimujt që po ofrohen për të nxitur rimëkëmbjen nga kriza e COVID.