Akte dhune u verifikuan në Bristol të Anglisë, ku një numër i konsiderueshëm qytetarësh manifestuan kundër projektligjit të qeverisë që synon të kufizojë protestat e rrugës. Të pranishmit u përleshën me policinë, e cila reagoi duke kryer dhjetëra arrestime.
Policia në qytetin e Bristolit, në jug-perëndim të Anglisë, kreu një seri arrestimesh natën mes së premtes dhe së shtunës, kur qytetarë të shumtë mbajtën protesta të dhunshme.
Gjatë manifestimeve, demonstruesit hodhën shashka, shishe dhe vezë ndaj forcave të policisë dhe madje tentuan t’u merrnin mburojat oficerëve.
Nga ana e saj, policia lokale bëri të qartë në një deklaratë se nuk do ta tolerojë kurrë këtë lloj dhune.
Qytetarët protestuan për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë që i jep policisë më shumë pushtet për të ndaluar protesta e rrugës.
Lidhur me aktet e dhunës reagoi edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, i cili përmes një postimi në rrjetin social Twitter i cilësoi ato si “të turpshme” për vendin.
Aktualisht në Britaninë e Madhe manifestimet janë të ndaluara në kuadër të kufizimeve të vendosura kundër përhapjes së COVID-19.