Aktivistja adoleshente suedeze Greta Thunberg ka treguar se është serioze kur eshte fjala për ndryshimet klimatike, por po dëshmon rishtas se ka dhe sens të hollë humori.
18-vjeçarja ka reaguar së fundmi ndaj raportimeve se ndotja globale mund të sjellë zvogëlim të penisit të njeriut, duke shpërndarë titullin e lajmit në llogarinë e saj me komentin: “Prandaj le të mblidhemi të gjithë në grevën e radhës për klimën”, të ndjekur nga një fytyrë e buzëqeshur.
Komenti i saj kishte mbledhur më shumë se 240,000 pëlqime, teksa fansat e lavdëronin duke e quajtur “Snajperja më e mirë e rrjetit”.
Lidhja mes çështjes së organeve gjenitale dhe ndotjes u bë nga shkencëtarja mjedisore Dr Shanna Swan në librin e saj Countdown (Numërim së prapthi).
Në studime ajo fokusohet në riprodhimin njerëzor dhe rënien e fertilitetit si rezultat i kimikateve në plastikat e përdorimit të përgjithshëm.
Reduktimi i kësaj ndotjeje është i nevojshëm për mbrojtjen e racës njerëzore, argumenton Dr Swan në libër.
Doktoresha shtonte se me ritmet aktuale, burrat nuk do të mund të prodhojnë spermë aktive deri në vitin 2045.