Qeveria malazeze po rrezikon rrëzimin e vet dhe futjen e vendit në krizë.
Paralajmërimin e lëshoi të hënën kryeministri Zdravko Krivokapiç, duke e drejtuar gishtin e fajit nga aleatët por edhe nga forca më e madhe opozitare e presidentit Milo Gjukanoviç.
Tri partitë e koalicionit qeverisës kanë shumicë të brishtë në parlament, 41 nga 81 mandatet.
“Partitë në pushtet dhe PDS-ja me tentakulat e saj po punojnë fort për ta rrëzuar qeverinë nga brenda. Po krijohen dy blloqe ultrasish: një ultraserb dhe blloku tjetër, ultrapatriotik,” tha kryeministri.
Krivokapiç tha se testin në parlament, qeveria do e kalojë me hedhjen në votë të shkarkimit të Ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviç.
Ministri proserb mbetet në qendër të kritikave pasi vuri në dyshim vendimin e Gjykatës së Hagës që e konsideron gjenocid masakrën e forcave serboboshnjake në Srebrenicë në 1995.
“I kërkova ta korrigjonte atë çka gatoi vetë, por pikëpamjet mbetën njesoj. Të premten i kërkova dorëheqjen në shenjë përgjegjshmërie, sërish njësoj, dhe sot po propozoj shkarkimin e tij. Mund ta pranoja deklaratën nga injoranca, por ai është ministri për Drejtësinë, për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve.”
Kryeministri Krivokapiç nuk komentoi çfarë mund t’i ndodhë qeverisë nëse parlamenti e refuzon shkarkimin e ministrit Leposaviç, por mësohet se do ta riformatojë kabinetin me ekspertë partiakë.
Qeveria malazeze u votëbesua 4 dhjetorin e kaluar, duke hequr pas 30 vitesh nga pushteti partinë e presidentit Gjukanoviç.