Kancelarja Angela Merkel tha se duke gjykuar nga përvoja e vendeve të tjera evropiane nuk kishte asnjë alternativë ndaj ligjit “të ashpër” të coronavirusit që hyri në fuqi në të gjithë Gjermaninë të shtunën.
Sipas medieve të huaja, Ligji i njohur si “frenimi emergjent” imponon kufizime uniforme të coronavirusit, siç është një shtetrrethim gjatë natës, në zonat ku infeksionet përhapen me shpejtësi.
Kjo fillon kur shkalla e infeksionit në një rreth të caktuar, e matur nga numri i rasteve gjatë javës së kaluar për 100,000 njerëz, arrin më shumë se 100 për tre ditë rresht.
Dhe në këtë aspekt, një pjesë e gjerë e Gjermanisë tejkalon kufirin, nga komunitetet rurale në qytete të mëdha si Berlini, Këlni, Frankfurti dhe Mynihu.
“Asnjë vend që ka arritur të ‘thyejë’ valën e tretë të pandemisë dhe pastaj të relaksohet nuk e ka bërë këtë pa masa të ashpra siç janë kufizimet shoqërore gjatë natës”, citohet të ketë thënë Merkel në mesazhin e saj të përjavshëm me video.
Kjo është arsyeja pse Gjermania “nuk mund të shmangë masat”, tha ajo.
Ligji, i miratuar këtë javë nga parlamenti, ka provokuar debat pasi lejon qeverinë federale të zëvendësojë vendimet e nivelit shtetëror, një ndryshim kryesor në marrëdhëniet midis qeverive federale dhe shtetërore.
Merkel argumentoi se Gjermania duhej t’i jepte fund “përgjigjes së saj me lara-lara” ndaj pandemisë dhe tha se lëvizja ishte veçanërisht e nevojshme tani ndërsa vendi përpiqet të zbusë një valë të tretë.
Masat përfshijnë mbylljen e hapësirave kulturore, një shtrëngim të lehtë të kufizimeve të kontaktit dhe një shtetrrethim nga ora 10 në mbrëmje në 5 të mëngjesit, elementi më i diskutueshëm.
Shkollat gjithashtu duhet të kalojnë në mësimin në distancë nëse shkalla e incidencës tejkalon 165, rregullat e reja të higjienës të zbatohen për bizneset jo-thelbësore dhe restorantet të jenë të mbyllura përveç ofertave të “marrjes me vete”.
Ndryshe, deri më tani, rreth 7 për qind e njerëzve në Gjermani janë vaksinuar plotësisht. Përqindja e njerëzve që morën dozën e parë të një vaksine qëndroi në 22 për qind deri të shtunën, sipas Institutit të Robert Koch.