Rreth 10 mijë persona marshuan në Jerevan për të përkujtuar 1.5 milionë armenët e vrarë nga Turqia Otomane mbi 100 vjet më parë, ngjarje që konsiderohet si gjenocidi i parë i shekullit të njëzetë.
Prej kohësh qytetarët armenë kanë kërkuar që masakra masive të njihet si gjenocid.
Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun Erdogan, në një kohë kur pritet të mbajë premtimin e bërë gjatë fushatës, se do të njohë gjenocidin armen.
Zyrtarë amerikanë, që kanë folur në kushte anonimati, kanë deklaruar se ka gjasa që shefi i Shtëpisë së Bardhë ta bëjë njoftimin këtë të shtunë.
“Shtetet e Bashkuara janë një vend i madh e i fuqishëm. Nëse ato njohin gjenocidin, vendimi do të ketë një impakt të fortë tek vendet e tjera, ndoshta edhe tek Turqia e Azerbajxhani,” – tha Tsarik Safaryan, mësuese.
Nga njëra anë, Turqia pranon se shumë njerëz humbën jetën, por nga ana tjetër ajo refuzon termin “gjenocid”, me argumentin se vdekjet ishin pasojë e trazirave civile që pasuan rënien e Perandorisë Otomane.
Të shtunën Armenia ka zyrtarisht ditën e përkujtimit, që shënon nisjen e masakrës së vitit 1915.