BE-ja shtyn vendimin për turistët britanikë, sherri i variantit indian të COVID-19

Evropë

BE-ja shtyn vendimin për turistët britanikë, sherri i variantit indian të COVID-19

Më: 21 maj 2021 Në ora: 18:47
Britani

Bashkimi Evropian ka vendosur të premten që ta shtyjë vendimmarrjen rreth përfshirjes së Mbretërisë së Bashkuar në listën e vendeve të lejuara për të udhëtuar në vendet anëtare.

Shtyja, sipas Brukselit, është pasojë e shqetësimeve rreth përhapjes së variantit indian të koronavirusit në Britaninë e Madhe.

Të premten diplomatët evropianë kanë rishikuar listën e mesatares së infeksioneve, por vendimin për Mbretërinë e Bashkuar e kanë shtyrë për së paku dy javë.

Ani pse ishulli britanik përmbush kriterin e kërkuar që gjatë një periudhe prej 14 ditësh të ketë jo më shumë se 75 raste të infektimit për 100 mijë banorë, urgjenca e shkaktuar rreth variantit indian të koronavirusit ka ndikuar në vendimmarrje.

Megjithëkëtë, turistët nga Britania janë lejuar që të hyjnë në Portugali që nga fillimi i javës, përkundër rekomandimeve nga Brukseli.

Kjo ngase 27 vendet anëtare të BE-së mund të marrin vendime individuale lidhur me turistët.

Vendimi është pjesë e dakordimit për hapjen e kufijve të BE-së për udhëtarët dhe turistët e vaksinuar plotësisht, si dhe për ata nga vendet që cilësohen si të sigurta në aspektin e pandemisë.

Numri i vendeve që do të përfshihen në të ashtuquajturën “listë e bardhë” është paralajmëruar të publikohet më vonë gjatë së premtes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat