Turqia krijon ekipe terreni që t’i bindë qytetarët të vaksinohen

Evropë

Turqia krijon ekipe terreni që t’i bindë qytetarët të vaksinohen

Më: 22 maj 2021 Në ora: 23:18
Turqi

Në qytetin mesjetar turk, Mardin, një grua thërret ekipin shëndetësor që po ecën rrugës së gurtë.

Medine Ereli ia sqaron mjekut dhe infermieres se bashkëshorti 59-vjeçar po refuzon të vaksinohet. Për këtë shkak kërkoi ndihmën e tyre.

Medine i dërgon mjekët tek Enver Ereli, që pastron rrugët e qytetit.

Mjekët e maskuar janë pjesë e ekipeve mobile, që kanë për detyrë të bindin njerëzit që të vaksinohen, sidomos ata që refuzojnë.

Ekipi shkon derë më derë, i pajisur me ftohës dhe doza të vaksinave.

Që prej muajit prill, ekipe të tilla kanë operuar në provincat e largëta të Turqisë, për shkak se njerëzit refuzonin vaksinën.

Ndërkaq Enver Ereli thotë se u bind menjëherë, kur infermierja i tha se vaksina ka efekt të madh te më të moshuarit.

“Frikësohesha se do të sëmuresha dhe paralizohesha. Por ekipi më foli për përfitimet nga vaksina dhe u besova”, thotë Ereli.

Këto ekipe mjekësore u krijuan me kërkesë të Qeverisë pasi shifrat tregonin se të moshuarit po refuzonin të merrnin vaksinën, sidomos në rajonet e largëta.

Një 79-vjeçare thotë se fqinjët e bindën që të mos vaksinohej.

“Njerëzit më thoshin që të mos vaksinohesha, por djali me ekipin mjekësor insistuan për vaksinim sepse do të më ndihmonte. U besova dhe mora dozën”, shprehet Hadra Irmak, banore e Mardinit.

Në zyrat lokale, punëtorët e qeverisë me telefonata tentojnë t’ua ndërrojnë mendjen njerëzve që refuzojnë vaksinat.

Në qytetin mesjetar të Mardinit deri më tani janë vaksinuar 8 mijë banorë. Për këtë numër të lartë të të vaksinuarve janë lavdëruar ekipet bindëse për vaksinim.

Ministria e Shëndetësisë në Turqi ka bërë të ditur se 84 për qind e popullsisë mbi moshën 65-vjeçare janë vaksinuar.

Qeveria synon që të arrihet 90 për qind e të vaksinuarve.

Deri më tani, Turqia ka vaksinuar plotësisht rreth 14 për qind e 83 milionë banorëve të saj, ndërsa 16 milionë banorë janë vaksinuar me një dozë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat