Gazetarët dhe opozitarët në Bjellorusi ndihen të kërcënuar

Evropë

Gazetarët dhe opozitarët në Bjellorusi ndihen të kërcënuar

Më: 26 maj 2021 Në ora: 16:32
Gazetarët në Bjellorusi

Pas arrestimit të gazetarit Roman Protasevich dhe partneres së tij, Sofia Sapega, gazetarët në Bjellorusi kanë filluar të frikësohen për jetën e tyre.

Stepan Putilo, që një kohë kishte punuar me Protasevich, ka thënë për BBC-në se vazhdimisht ka marrë kërcënime me vdekje por se tani është duke “i marrë më seriozisht këto”.

Putilo themeloi kanalin opozitar Nexta në aplikacionin për mesazhe „Telegram“, e ku Protasevich kishte punuar si redaktor.

Protasevich dhe e dashura e tij Sofia Sapega, një shtetase ruse 23-vjeçare, u arrestuan pasi avioni me të cilin udhëtonin nga Athina, Greqi, për në Vilnius, Lituani, ishte detyruar të devijojë rrugën dhe të aterrojë në Minsk, Bjellorusi. Protasevich dhe Sapega janë duke u mbajtur në paraburgim në Bjellorusi.

Vendet perëndimore kanë akuzuar Bjellorusinë për rrëmbim nga avioni i Ryanair që u detyrua të ndryshojë kursin pasi autoritetet bjelloruse u kishin thënë pilotëve se kanë marrë „njoftim“ për kërcënim me bombë dhe se aeroplani duhej të aterronte me urgjencë në Minsk. Një aeroplan ushtarak e ka përjcellur aeroplanin civil të Raynair deri në aeroportin në Minsk.

Të mërkuren, Presidenti Bjellorus Aleksandër Lukashenko, duke folur para deputetëve të parlamentit bjellorus, mbrojti vendimin për devijimin e fluturimit.

“Ne duhet të marrim masat e duhura për të mbrojtur vendin tonë,” tha ai, duke shtuar se ai kishte vepruar brenda ligjit.

Lufta e gazetarëve për demokraci

Nexta, një kanal në aplikacionin e mesazheve Telegram që ka më shumë se një milion abonentë, është shfrytëzuar për të mobilizuar protestat që u mbajtën vitin e kaluar.

Stepan Putilo, duke folur nga Varshava, kryeqyteti i Polonisë, i tha BBC-së se qeveria e Bjellorusisë nën Lukashenkon “ka frikë nga ne sepse ne tregojmë të vërtetën”.

“Ne tregojmë atë që ata duan të fshehin”, tha ai. Ndërsa duke folur për ish-kolegun e tij, Roman Protasevich, ai u shpreh se “Roman është më në rrezik sesa të burgosurit e tjerë politikë në Bjellorusi”, pasi ai “është armiku personal i Lukashenkos.”

Qindra kilometra larg Minskut, dhjetëra aktivistë të rinj, të gjithë në mërgim nëpër Evropë, punojnë çdo ditë për të mbajtur aktive platformën Nexta.

Shumica e punonjësve nuk duan që identiteti i tyre të bëhet i ditur. Ata kanë familje në Bjellorusi, të cilët duhet t’i mbrojnë. Por ata mendojnë se kjo është detyra e tyre, të vazhdojnë të luftojnë për demokracinë në vendin e tyre.

Themeluesi i Nexta, Stepan, ishte arratisur nga Bjellorusia kur ishte vetëm 20 vjeç. Ai kontrollon vazhdimisht telefonin e tij, duke shpresuar të marrë lajme për shokun dhe ish-kolegun e tij, por nuk ka asnjë të tillë. Stepan e di se ai është po aq i shënjestruar sa Roman. Ata ishin ndjerë relativisht të mbrojtur në mërgim, por kjo ka ndryshuar. Tani, as rrugët e Varshavës nuk janë të sigurta.

Si u arrestua çifti?

Të dielën, Bjellorusia dërgoi një avion luftarak për të shoqëruar fluturimin Ryanair FR4978, duke pretenduar se bëhej fjalë për një kërcënim për bombë. Avioni u ul në Minsk në 13:16 sipas kohës lokale. Me të aterruar, të 126 pasagjerët u detyruan të dalin nga aeroplani, dhe ky është momenti kur policia arrestoi çiftin Protasevich-in dhe Sapega. Udhëtarët treguar se këta të dy ishin “super të frikësuar”.

Të martën, ministria bjelloruse e transportit lëshoi ​​një transkript të një bisede që thuhej të ishte midis një kontrollori të trafikut ajror në Minsk dhe një piloti në aeroplanin e Ryanair.

Sipas transkriptimit, i cili nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, Bjellorusia kërkoi disa herë që avioni të ulej në Minsk me “rekomandimin tonë”.

Kjo dukej se binte në kundërshtim me deklaratat e mëparshme nga autoritetet Bjelloruse që thanë se piloti kishte vendosur vet që të aterronte.

Bjellorusia është një shtet në lindje të Evropës, që kufizohet në lindje me Rusinë, që është aleati i saj kryesore; dhe me Ukrainën në jug. Në veri dhe në perëndim shtrihen anëtarët e BE-së dhe NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia.

Ky vend me 9.5 milion banorë, gjendet në rivalitet midis Perëndimit dhe Rusisë.

Presidenti Lukashenko, që në pushtet është për më shumë se 27 vjet, quhet “diktatori i fundit i Evropës”.

Që nga gushti i vitit të kaluar, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale, Bjellorusia është kapluar nga një lëvizje e madhe opozitare që kërkon udhëheqje të re, demokratike dhe reforma ekonomike. Lëvizja opozitare dhe qeveritë perëndimore thonë se Presidenti Lukashenko manipuloi zgjedhjet e 9 gushtit. Zyrtarisht ai fitoi me dallim të madh në zgjedhje. Aparati shtetëror ka reaguar ashpër kundër protestave në rrugë ndërsa udhëheqësit e opozitës ose janë burgosur ose janë dëbuar nga vendi në internim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat