Lukashenko akuzon gazetarin e kapur për “rebelim të përgjakshëm”

Evropë

Lukashenko akuzon gazetarin e kapur për “rebelim të përgjakshëm”

Më: 26 maj 2021 Në ora: 22:28
Alexander Lukashenko

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë të mërkurën se gazetari i nxjerrë me forcë nga aeroplani “i rrëmbyer” me rastin e aterrimit të detyrueshëm në Minsk po planifikonte rebelim teksa ka akuzuar Perëndimin se po zhvillon “luftë hibride” kundër tij.

Në deklarimin e tij të parë publik qëkur një avion luftarak bjellorus ia ndërroi rutën të dielën një aeroplani të Ryanairit që fluturonte nga Greqia në Lituani, që të dyja shtete anëtare të Bashkimit Evropian, ai nuk ka shfaqur shenja të zmbrapsjes nga konfrontimi me vendet që e akuzojnë atë për terrorizëm shtetëror dhe pirateri ajrore.

“Siç kemi parashikuar, dashakëqijtë tanë jashtë shtetit dhe nga brendësia kanë ndryshuar metodat e tyre të sulmit mbi vendin”, ka thënë Lukashenko në Parlament. “Kanë shkelur shumë vija të kuqe dhe kanë braktisur moralin njerëzor”, është shprehur ai, duke iu referuar “një lufte hibride” pa dhënë më shumë hollësi.

Bjellorusia është vënë nën sanksione të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëkur Lukashenko ka shtypur me forcë protesta pro-demokracisë të mbajtura pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit të shkuar. Por vendimi i tij për ta ulur një aeroplan ndërkombëtar në hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe arrestimi i gazetarit disident 26-vjeçar, Roman Protasevich, ka nxitur zotimet për veprime më serioze.

Në fjalimin e tij në Parlament, Lukashenko nuk ka dhënë hollësi rreth “rebelimit të përgjakshëm”, për të cilin ai ka akuzuar gazetarin e arrestuar.

Protasevich është shfaqur të hënën vonë në televizionin shtetëror tek pranonte organizimin e demonstratave. Por figurat opozitare në Bjellorusi kanë hedhur poshtë pranimin e fajësisë, duke e cilësuar videon si një dëshmi të torturimit të Protasevichit. E këtë pretendim e ka përsëritur edhe nëna e tij, Natalia.

“Thjesht i lutem gjithë komunitetit ndërkombëtar... të lutem, botë, ngrihu dhe na ndihmo, ju përgjërohem kaq shumë, ngase do ta vrasin”, ka thënë ajo për transmetuesin polak TVN.

Të martën vonë është transmetuar një tjetër video e ngjashme e Sophia Sapegas, të dashurës 23-vjeçare të Protasevichit.

Gjermania i ka prirë valës së dënimeve të Bjellorusisë rreth videoxhirimeve, për të cilat kundërshtarët e Lukashenkos kanë thënë se janë xhiruar nën presion.

“E dënojmë me termat më të ashpër të mundshëm praktikën e sunduesve të Bjellorusisë për paradim me të burgosurit e tyre me të ashtuquajturat ‘pranime’”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seiber. Bjellorusia ka mohuar nga ana tjetër keqtrajtimin e të burgosurve. Mirëpo grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar me qindra raste të abuzimit dhe të pranimeve të detyrueshme vetëm gjatë vitit të kaluar në Bjellorusi.

Si pasojë e veprimit dramatik të së dielës, rregullatori evropian i aviacionit ka publikuar një buletin që i nxit të gjitha aviokompanitë që ta shmangin hapësirën ajrore bjelloruse për shkaqe sigurie, duke bërë të ditur se ulja e detyrueshme e aeroplanit të Ryanairit ka vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për të garantuar siguri në qiej. Andaj, qeveritë perëndimore kanë udhëzuar aviokompanitë e tyre që të anashkalojnë fluturimet mbi Bjellorusi dhe kanë shpalosur planet edhe për ndalimin e aeroplanëve bjellorus. Ndërkaq Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se janë duke u përgatitur ndaj vendit sanksione të paspecifikuara.

Me urdhrin e Lukashenkos, Bjellorusia ka ngritur në qiell një avion luftarak për uljen e aeroplanit civil që në bord kishte Protasevichin, me justifikimin e një kërcënimi me bombë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat