Ndonëse masat kufizuese kanë nisur të lehtësohen në shumë shtete, ende ka shumë pakënaqësi ndaj izolimit.
Belgjikë
Policia përdori gazlotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila ishte mbledhur në Bruksel për të protestuar kundër kufizimeve COVID-19.
Rreth një mijë protestues, veçanërisht nga Holanda, Gjermania dhe Belgjika, u mblodhën në një nga parqet më të mëdhenj në kryeqytetin e Belgjikës.
Protestuesit, përfshirë një grup ushtarësh holandezë në pension, marshuan drejt godinës së Komisionit Evropian, duke kritikuar politikën e vaksinimit të miratuar nga vendet evropiane.
Britani e Madhe
Në Britani të Madhe po ashtu u zhvilluan protesta. Protestuesit që kundërshtojnë vaksinën, pasaportën anti-COVID dhe maskat, mësynë një nga qendrat më të mëdha tregtare në Londër.
Dyqanet u detyruan të mbyllen herët teksa demonstruesit protestonin ndaj një detyrimi të vendosur nga qeveria për të mbajtur maska në hapësira të mbyllura.
Protestuesit i shohin kufizimet e COVID-19 si të panevojshme dhe shkelje të të drejtave njerëzore.
Rritja e fundit e rasteve me variantin indian të virusit COVID në Mbretërinë e Bashkuar, ka nxitur spekulimet se heqja e kufizimeve përfundimtare të COVID në 21 qershor, mund të vonohet.
Britania raportoi 3,398 raste të reja të COVID-19. Më shumë se 39 milion njerëzve tani u është dhënë doza e parë e vaksinës COVID-19.
Po kështu, një studim i kryer nga akademikë në universitetin e Oksfordit në vjeshtën e vitit 2020 paralajmëroi se një pakicë e konsiderueshme e njerëzve besojnë teoritë konspirative në lidhje me vaksinat e koronavirusit dhe COVID-19.