Ngrohja globale, bregdeti turk pushtohet nga “alga“ e çuditshme, biologët: Katastrofë e vërtetë

Evropë

Ngrohja globale, bregdeti turk pushtohet nga “alga“ e çuditshme, biologët: Katastrofë e vërtetë

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 19:52
Foto

Një algë e çuditshme ka pushtuar bregdetin e Marmarasë në Turqi, që ka alarmuar edhe qeverinë turke. Sipas shkencëtarëve kjo vjen prej efektit të ngrohjes globale dhe derdhjes në det të ujërave të zeza të patrajtuara.

Në fillim të sezonit turistik, në bregdetin e Marmarasë në Turqi ka ndodhur një fenomen që ka alarmuar biologët e marinës anekënd botës.

Një shtresë llumi gri në të jeshiltë ka pushtuar një hapësirë të gjerë të vijë bregdetare dhe rrezikon seriozisht jetën detare dhe industrinë e peshkimit, sipas ekspertëve turq.

Substanca që ka pushtuar bregdetin turk formohet kur algat mbingarkohen me lëndë ushqyese, që vjen për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ujit.

Presidenti turk Erdogan ka premtuar një plan të menjëhershëm ndërhyrjeje për rastin që rrezikon ekonomikisht peshkatarët e zonës dhe rrezikon gjithashtu edhe  gjallesat detare.

Kjo ngjarje e regjistruar për herë të parë në 2007-ën nga biologët detarë, sipas ekspertëve kjo që po ndodh në detin Marmara mendohet të jetë më e madhja në histori.

Presidenti Erdogan fajësoi kanalizimet e ujërave të zeza të patrajtuara që hidhen në det dhe rritjen e temperaturave globale për rastin.

Shkencëtarët janë të shqetësuar që të merren masa menjëherë, sepse, sipas tyre, "telashet do të jenë më të mëdha" nëse substanca zgjerohet në Detin e Zi.

Deti i Marmarasë është një det i brendshëm që ndan pjesët aziatike dhe evropiane të Turqisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat