Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair ka paralajmëruar sot se nuk ka logjikë trajtimi njësoj i personave të vaksinuar me ata që nuk e kanë bërë atë.
Ai kërkon që masat të jenë më relaksuese për ata që kanë marrë të dyja dozat çka do të ishte një nxitje e fuqishme për ata që hezitojnë të marrin vaksinën antiCOVID, persona të cilët rezultojnë se po preken më shumë nga varianti indian i koronavirusit.
Komentet e Tony Blair bëhen në kohën kur vetëm në muajin maj Britania vaksinojnë me të dyja dozat 13.5 milionë banorë, ndërkohë që më shumë se 27 milionë britanik i kanë marrë të dyja vaksinat, ndërkohë që 33.5 milionë të tjerë ka bërë dozën e parë të vaksinave.
Nënteksti i Blair duket se vlen edhe për vendet që kanë avancuar në procesin e vaksinimit dhe imunizimit.
Ish-kryeministri laburist britanik 69-vjeçar, i cili drejtoi ishullin nga 1997 deri në 2007, tha se “ka ardhur koha të bëhet dallimi për heqjen e kufizimeve mes të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve këtu në Britani, por edhe për shtetasit tanë dhe ata të vendeve të tjera, kur vjen puna tek udhëtimet ndërkombëtare nisur nga fakti se kur je i vaksinuar pakësohet jashtëzakonisht rreziku”, raporton Guardian.
Në një reagim ndaj komenteve të Tony Blair, një zyrtar britanik citohet të ketë thënë se edhe “njëherë Tony Blair duket se ka mësuar për planet tona që janë duke u zbatuar dhe ka vendosur t’i deklarojë ato publikisht në emër të qeverisë”.
Faktikisht qeveria në rastin e pandemisë ka ndjekur çfarë ka thënë Tony Blair dhe jo e kundërta, siç ishte rasti i idesë së tij për të marrë sa më shumë njerëz vaksinën e parë dhe zgjatjen e kohës së marrjes së dozës së dytë për të vaksinuar sa më shumë shtetas siç edhe ka ndodhur jo vetëm në Britani, por edhe në vende tjera.
Ndërkohe në një zhvillim tjetër varianti indian i koronavirusit rezulton sipas ministrit britanik të Shëndetësisë se është 40 për qind më i transmetueshëm se ai britanik, lajm ky që e bën të vështirë hapjen totale të Britanisë më 21 qershor, siç është deklaruar publikisht, duke shtuar gjasat që ajo të shtyhet deri në javën e parë të korrikut.