Anëtari i kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës nga komuniteti kroat Zheljko Komshiq e ka quajtur "Akt civilizimi dhe kërkon që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Serbia”, shkruan “B92”, transmeton “Bota Sot”.
Komshiq vlerësoi se “Rezoluta për gjenocid në Srebrenicë” e miratuar mbrëmë në Kuvendin e Malit të Zi është “Akt i civilizimit”, duke konsideruar se edhe Bosnja e Hercegovina dhe Serbia “duhet ta bëjnë të njëjtën gjë”.
Komshiq duke përshëndetur miratimin e rezolutës theksoi se ajo është miratuar edhe me mbështetjen e opozitës – përkatësisht DPS të Milo Gjukanoviq, ka transmetuar portali “Klix”.
Me propozimin e Partisë boshnjake në Kuvendin e Malit të Zi, me mbështetjen e shumicës është miratuar rezoluta për gjenocid në Srebrenicë, që ka ngjallur debate në mes subjekteve në Malin e Zi.
Rezoluta dënon ashpër “gjenocidin në Srebrenicë” dhe konstaton se “në atë gjenocid kanë pësuar mbi 8 mijë pjesëtar të komunitetit boshnjakë”, ndërkohë që ndalohet mohimi i ekzistimit të gjenocidit dhe 11 korriku shpallet Dita e kujtimit të viktimave të Srebrenicës.