Shkencëtarët dhe ekonomistët po paralajmërojnë për ndërtimin e një kanali përmes metropolit. Por presidenti turk dëshiron ta zbatojë atë – dhe sot pritet ta vëjë gurthemelin e ndërtimit.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron të zbatojë një projekt të ri prestigjioz, ku pas urës së tretë të Bosforit dhe aeroportit të ri të Stambollit, dëshiron të ndërtoi kanalin që përshkron metropolin e Stambollit . Rruga ujore rreth 45 kilometra e gjatë do të lidhë Detin e Marmaras me Detin e Zi dhe të kalojë përmes periferive perëndimore të Stambollit. Kapaciteti ditor pritet të jetë rreth 160 anije në ditë, kanali duhet të lehtësojë Bosforin dhe të shkurtojë kohën e pritjes për transportuesit e mallrave dhe cisternat. Për më tepër, qeveria shpreson që projekti të gjenerojë dhjetëra mijëra vende pune dhe të ardhura të larta nga tarifat e tranzitit që cisternat supozohet të paguajnë.
Ekspertët kritikojnë projektin e ndërtimit
Por opozita, shkencëtarët dhe ekonomistët e kritikojnë projektin: Studiuesit kanë frikë se rruga ujore artificiale mund të shkaktojë një katastrofë për mjedisin dhe ambientin. Deti i Marmaras tashmë është i kërcënuar. Vetëm në fillim të muajit u përhapën në ujë algat e buta - të ashtuquajturat e kuqe e detit . Përveç kësaj, Deti i Zi është tashmë i ndyrë, frika është se gjendja mund të përkeqësohet për shkak të ndërtimit.
Ekspertët ekonomikë gjithashtu paralajmërojnë për koston e lartë dhe i konsiderojnë të dhënat nga Ministria e Mjedisit dhe Zhvillimit Urban si joreale. Qeveria vlerësoi koston e ndërtimit në një raport të porositur të ndikimit në 75 miliardë lira, ose 7.2 miliardë euro. Ekspertët e konsiderojnë këtë si joreale. Kostoja aktuale ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë, se sa paraqitet.
Kryebashkiaku i Stambollit dëshiron të parandalojë ndërtimin
Kjo është një nga arsyet pse kryebashkiaku i Stambollit dhe social demokrati Ekrem Imamoglu dëshiron të ndalojë projektin e ndërtimit. Por deri më tani përpjekjet e tij kanë qenë të pasuksesshme, pushteti vendimmarrës i takon presidentit dhe ai dëshiron të shtyjë përpara projektin kryesor me të gjitha mjetet. Guri i themelit për një urë të parë mbi kanalin e ardhshëm do të vendoset sot të shtunën. Erdogan dëshiron të marrë pjesë në ceremoni.