Sllovenët po votojnë të dielën në një referendum mbi ndryshimet në ligjin e vendit për administrimin e ujit, në një test për Qeverinë e kryeministrit të krahut të djathtë Janez Jansa.
Qeveria e Jansa miratoi ndryshimet në mars por ekologët përmes referendumit kanë thënë se ndryshimet kërcënojnë mjedisin dhe cilësinë e ujit.
Çështja ka ndezur një debat të nxehtë në vendin e vogël të Bashkimit Evropian me 2 milionë njerëz të njohur për pamje mahnitëse të alpeve dhe si adhurues të natyrës. E drejta për ujë ishte parashikuar në kushtetutën e vendit në vitin 2016.
Në qendër të mosmarrëveshjes është një dispozitë që rregullon ndërtimin e ndërtesave, duke përfshirë hotele, dyqane dhe restorante, afër detit, lumenjve ose liqeneve.
Ndërsa qeveria këmbëngul se në të vërtetë ka forcuar rregullat dhe ka mundësuar më shumë fonde për mbrojtjen e ujit dhe përmbytjeve, kundërshtarët pretendojnë se rregulloret favorizojnë interesat e investitorëve privatë dhe do të kufizojnë aksesin e publikut në ujë dhe të rrezikojnë cilësinë e tij
Mosmarrëveshja për ujin ka reflektuar tensione të rritura politike në Slloveni, ku qeveria e Jansa është përballur me akuza për frenimin e lirive demokratike dhe mediatike në kombin tradicionalisht liberal.
Jansa gjithashtu është përballur me vëzhgimin e BE-së mbi mënyrat e tij populiste ndërsa Sllovenia mori presidencën e radhës gjashtë mujore të bllokut në fillim të këtij muaji.
Që referendumi të ketë sukses, shumica e atyre që votojnë dhe të paktën një e pesta e rreth 1.7 milionë votuesve me të drejtë vote - rreth 340.000 - duhet të refuzojnë ndryshimet e ligjit të ujit. Votimi i parakohshëm në shtëpitë e kujdesit dhe disa qendra votimi ka tërhequr një numër rekord prej më shumë se 84.000 qytetarë, duke sugjeruar interes të lartë publik për temën.
Referendumi u detyrua nga një grup organizatash mjedisore dhe grupe të tjera të shoqërisë civile të bashkuara në një "Lëvizje për ujë të pijshëm" të cilët mblodhën më shumë se 50.000 nënshkrime.