Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të mbajë një fjalim këtë të hënën, ndërsa frika në vend për një valë të re të koronavirusit është shtuar nga varianti i ri Delta, një version më ngjitës i COVID-19.
Ky variant i ri, i cili u identifikua për herë të parë në Indi, tani është virusi më i shpeshtë që ka infektuar rastet e reja të identifikuara në Francë.
“Bazuar në statistikat e fundit, mendojmë se po futemi në një valë të re epidemike”, tha ministri francez i shëndetësisë Oliver Veran.
Sipas autoriteteve të Shëndetësisë, numri i të sëmurëve me COVID-19 të shtruar në spital ka një prirje rënëse, por rastet e reja po shtohen dita-ditës. Të dielën, Franca raportoi 4,256 raste të reja, krahasuar me javën e kaluar, kur rastet shënonin 2,549.
“Rastet e reja mund të arrijnë në mbi 20,000 në fillim të gushtit në rast se ne nuk ndërmarrim menjëherë masa”, paralajmëroi ministri Veran.
Si pasojë, kreu i vendit pritet të njoftojë masa të reja, vetëm pak ditë pas lehtësimit të tyre. Klubet e natës u rihapën në të gjithë vendin të premten, për herë të parë në 16 muaj, një nga hapat më të mëdha drejt rikthimin në normalitet pas pandemisë.
Sipas mediave franceze, disa nga masat që do të njoftohen nga presidenti Macron mund të përfshijnë ndryshime në numrit e lejuar në vende publike, rikthimi i maskave në mjediset e jashtme, si dhe kufizime të reja në lidhje me lëvizjet hyrëse apo dalëse në Francë.