Ministri britanik i shëndetësisë Sajid Javid tha të shtunën se ai ka dal pozitiv me COVID-19, mirëpo ai është i vaksinuar dhe simptomat e tij janë të lehta.
Javid, i cili ka qenë sekretar shëndetësor për tre javë, ka mbështetur planin e Kryeministrit Boris Johnson për të rihapur plotësisht ekonominë e Anglisë dhe për të hequr kufizimet ligjore të koronavirusit nga e hëna.
“Këtë mëngjes unë u testova pozitiv për COVID-19”, tha ai në një postim në Twitter, duke shtuar se ai kishte bërë një test PCR dhe po priste konfirmimin, i cili ka nevojë për përpunim në një laborator, raporton Reuters.
“Unë jam duke pritur për rezultatin tim PCR, por fatmirësisht jam i vaksinuar dhe simptomat e mia janë të lehta.”
Javid shkroi në Twitter më 17 mars se kishte marrë dozën e tij të parë të vaksinës Astra Zeneca kundër COVID-19, duke postuar një foto të tij duke marrë një dozë të dytë më 16 maj.
Britania po përballet me një valë të re të rasteve të COVID-19, por Johnson dhe Javid thonë se programi i vaksinave ka prishur kryesisht lidhjen midis rasteve të COVID-19 dhe vdekjeve.
Britania ka vaksinuar plotësisht dy të tretat e të rriturve, por nuk po vaksinon fëmijët. Disa shkencëtarë kanë paralajmëruar se planet e rihapjes së qeverisë janë të rrezikshme duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të njerëzve që qëndrojnë të pavaksinuar dhe faktin që vaksinat nuk janë 100% efektive.