Frika nga varianti Delta i COVID-19 po detyron autoritetet të disa shteteve evropiane të marrin masa kufizuese të cilat nuk janë duke u mirëpritur nga qytetarët.
Të gjithë udhëtarët e pa vaksinuar nga Britania, Greqia, Qipro, Spanja, Portugalia dhe Holanda që shkojnë në Francë duhet të paraqesin një test negativ COVID-19 të kryer brenda 24 orëve të fundit.
Deri më tani, testi nga udhëtarët që vinin nga Britania duhej të ishte kryer brenda 48 orëve, ndërsa për vendet e tjera brenda 72 orëve.
Franca njeh vetëm të vaksinuarit me dozat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Masa e re hyn në fuqi mesnatën e së dielës dhe është ndërmarrë nga frika e variantit Delta që mund të rikthejë një tjetër valë të pandemisë në shtetet e Evropës.
Britania gjatë të premtes raportoi 51 mijë të infektuar, ku 99 për qind e tyre përkonin me variantin Delta.
Qeveria britanike ka bërë me dije se edhe qytetarët e vaksinuar që kthehen nga Franca duhet t’i nënshtrohen një karantine 10 ditore.
Të zemëruar me rivendosjen e masave kufizuese janë edhe rusët pasi në vendin e tyre është regjistruar një rritje e të infektuarve.
Disa rajone në Rusi njoftuan se qytetarët për tu futur në hotele, bare apo restorante duhet të paraqesin certifikatat e vaksinimit apo dëshmi imuniteti kundër COVID-19.
Një nga masat më të ashpra u mor në rajonin Vladimir. Autoritetet urdhëruan se dëshmia duhej të jepet edhe kur shkohet në palestra apo sallone bukurie. Rajoni i cili ndodhet 200 kilometra larg Moskës është një qendër e madhe turistike.
Vendimi shkaktoi reagime negative nga bizneset vendase të cilat thanë se në mes të sezonit turistik kërcënohet mbyllja e mijëra bizneseve.
Sipas tyre, këto masa janë më të rënda sesa vetë izolimi sepse nëse do të ishin të mbyllur të paktën do të merrnin mbështetje nga qeveria.