Mijëra qytetarë protestuan të shtunën në rrugët e Francës kundër rregullave të reja për coronavirusin, të shpallura nga qeveria në fillim të javës.
Në Paris, në një pankartë shkruhej: “Jo vaksinimit të detyrueshëm, liria e shkelur”.
Ndërsa, në pankartën e një tjetër qytetari shkruhej: “Macron, jo diktaturës shëndetësore”.
Disa protestues të “jelekverdhëve” morën pjesë në tubimet në të gjithë vendin. Po kështu, një numër udhëheqësish të partive të ekstremit të djathtë u bashkuan me protestën në kryeqytetin francez.
Masat e diskutueshme përfshijnë vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit shëndetësorë dhe një detyrim për qytetarët që të jenë të pajisur me certifikatën e vaksinimit për të frekuentuar shumicën e vendeve publike.
Certifikata e shëndetit u jepet atyre që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 ose kanë prova të një testi negativ të marrë brenda 48 orësh.
Qeveria franceze thotë se masat e reja janë të nevojshme për të frenuar variantin Delta, i cili po nxit një valë të infeksioneve të reja në vend.
Të premten, autoritetet e shëndetit publik raportuan mbi 10,900 raste të reja.
Kjo është pothuajse një rritje trefish e shifrave krahasuar me mesin e qershorit.