Papa Françesku bëri paraqitjen e tij të parë publike që kur u kthye në Vatikan pas një qëndrimi 11-ditor në spital. Në Sheshin Shën Pjetër, ai u bëri thirrje njerëzve që të bëjnë pushime dhe të largohen nga streset e jetës moderne.
“Le të ndalojmë vrapimin e furishëm të diktuar nga axhendat tona. Le të mësojmë se si të bëjmë një pushim, të fikim celularin”, tha ai.
Ati i Shenjtë apeloi për t’u dhënë fund trazirave të fundit në Afrikën e Jugut dhe bëri thirrje për paqe dhe dialog në Kubë pas protestave që tronditën vendin e drejtuar nga komunistët.
“Unë jam gjithashtu pranë njerëzve të dashur të Kubës në këto kohë të vështira, veçanërisht me familjet që vuajnë”, tha Papa.
Papa u ndal edhe te përmbytjet katastrofike ditët e fundit në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Papa 84-vjeçar iu nënshtrua një operacioni në zorrën e trashë në datën 4 Korrik, hera e parë që ai është përballur me një shqetësim shëndetësor gjatë papatit të tij tetëvjeçar.