Britania hoqi sot të gjitha kufizimet që ishin vendosur prej më shumë se një viti në përpjekje për të luftuar pandeminë COVID-19.
Heqja e kufizimeve ndodh ndërkohë që ka pasur një rritje të rasteve të COVID-it dhe shtrimeve në spital në Angli, kryesisht të nxitura nga varianti Delta i virusit.
Dita e Lirisë, siç po quhet e hëna, vjen gjithashtu ndërsa ministri i Shëndetësisë Sajid Javid, po vetëizolohet pasi rezultoi pozitiv me COVID. Shërbimi Kombëtar për Shëndetin (NHS) njoftoi kryeministrin Boris Johnson dhe ministrin e Financave Rishi Sunak, se ishin ekspozuar ndaj dikujt që ka dalë pozitiv me COVID.
Njerëzit të cilët njoftohen nga NHS se janë ekspozuar ndaj COVID-it pritet të vetëizolohen. Por si zoti Johnson dhe zoti Sunak, pritej të merrnin pjesë në një program pilot që do t'i lejonte të punonin në Downing Street, por vendosën ta anulonin atë pas kritikave publike.
Ndërkohë tenistja adoleshente amerikane Coco Gauff doli pozitive me COVID dhe nuk do të marrë pjesë në Lojrat Olimpike të Tokios. Atletja 17 vjeçare postoi në Twitter .."Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara në Lojërat Olimpike dhe shpresoj se do të ketë shumë më tepër shanse për ta bërë këtë realitet në të ardhmen."

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse tenistja Gauff ishte vaksinuar. Një nga gjimnastet alternative, apo zëvendësuese, për ekipin amerikan ka rezultuar pozitive për koronavirusin, por ekipi kryesor ka lëvizur në një ambjent të veçantë dhe po vazhdon përgatitjen për Lojërat Olimpike, tha organizata Gjimnastika Amerikane të hënën.
Lojërat Olimpike u anulluan vitin e kaluar, por vendimi i Komitetit Olimpik për të vazhduar me lojërat këtë vit ka marrë shumë kritika ndërsa bota vazhdon të përballet me trajtimin e pandemisë.
Sipas qendrës së informacioneve për koronavirusin të Universitetit Johns Hopkins 190.4 milionë raste globale të COVID-it dhe më shumë se 4 milionë vdekje janë regjistruan në të gjithë botën deri të hënën herët. Të dhënat e qendrës tregojnë se deri më tani janë administruar mbi 3.6 miliardë vaksina./VOA