Një grua shtatzënë e cila ishte vetëm 17 vjeçe u vra me dhunë në Graz të Austrisë. Policia arrestoi një të dyshuar 19-vjeçar, raporton Blick.ch, përcjell Bota sot.
Policia austriake gjeti të martën trupin e një gruaje të re shtatzënë (17 vjeçare).
Ajo nuk ishte paraqitur në punë dhe nuk ishte më në dispozicion. Autoritetet dërguan zjarrfikësit në banesën e saj.
Kur oficerët hynë brenda, panë se ajo ishte shtrirë në shtrat, e prerë me thikë në qafë - dhe tashmë kishte vdekur. Hetuesit supozojnë se bëhej fjalë për vrasje: E rija nuk mund t'i kishte shkaktuar lëndime vetes, pasi ishte katër apo pesë muajshe shtatzënë.
Arrestohet babai i fëmijës
Në të njëjtën mbrëmje policia arrestoi një djalë të ri (19). Gjatë marrjes në pyetje, ai e përshkroi veten si babai i fëmijës së palindur dhe rrëfeu se kishte pasur një debat me 17-vjeçaren në banesën e saj në Graz.
Sidoqoftë, me fjalët e tij, i riu nuk pranon të ketë lidhje me vrasjen. Rrethanat e sakta të krimit tani duhet t`i sqaroj hetimi mjekoligjor dhe autopsia. Zyra e Policisë Kriminale të Shtetit po heton vrasjen e dyshuar. (hah / SDA)