Vijon lufta kundër flakëve në kodrat në perëndim të Greqisë. Thuajse 300 zjarrfikës punuan edhe përgjatë natës, për të shuar zjarrin që ka shkrumbuar pemët e ullirit dhe pishat, dhe që për shkak të përhapjes, ka mbërritur edhe në det, duke dëmtuar edhe shtëpi pranë plazheve.
Banorët e disa fshatrave u evakuuan të shtunën, kur zjarri kaloi mbi autostradën që lidh Athinën me Patrën, qytetin e tretë më të madh të Greqisë. Zjarri shpërtheu në kodrat e Zirias në Peloponez, rreth 30 km në lindje të Patrës, dhe u përhap me shpejtësi drejt bregut.
Sipas zyrtarëve, 15 persona janë dërguar në spital për shkak të ndërlikimeve me frymëmarrjen, si pasojë e zjarreve.
Më herët, autoritetet greke kanë paralajmëruar qytetarët për një rrezik të shtuar të zjarreve gjatë valës së të nxehtit, që pritet të arrijë kulmin javën e ardhshme, me temperatura deri në 45 gradë Celsius.