Zjarret e papara që kanë përfshirë Europën jugore shkaktuan viktimat e para në Greqi. Situata është kritike, era vazhdon të përhapë zjarret.
Zjarret në veriun e kryeqytetit grek, Athinë nuk janë shuar ende, sepse gjithmonë krijohen vatra të reja që përhapen shpejt nga era. Së fundmi kërcënohej nga zjarret edhe qyteti i vogël 25 km larg Athinës, Egjios Stefanos.
Pamjet televizive tregojnë policët që detyrojnë edhe banorët e fundit të qytetit prej 10.000 vetësh të largohen nga shtëpitë, shumë njerëz u larguan në panik, por ka edhe nga ata që nuk duan të largohen.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/07/auto_58778587_4011628316747.jpg)
Qindra zjarrfikës luftojnë me ndihmë nga Franca, Suedia, Rumania, Qiproja e Zvicra kundër zjarreve masive. Një 38 vjeçar në veri të Athinës ndërroi jetë, pasi u godit nga një shtyllë elektrike.
Në afërsi të Kryonierit ndërroi jetë edhe presidenti i Dhomës së Industrisë e Tregtisë në Athinë, Konstantions Michalos, i cili u gjet pa jetë në fabrikën e tij shumë pranë zjarreve. Edhe dy zjarrfikës janë dërguar në spital në gjendje kritike. Mjaft të tjerë shkuan në spitale me djegie apo helmim nga tymi.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/07/auto_58786467_4031628316781.jpg)
Mijëra vetë ndërkohë kanë humbur strehët e tyre. Qeveria ofron ndërkohë fjetjen falas në hotele, por shumë vetë duan të rikthehen në shtëpitë e tyre, kur ato nuk janë djegur apo kur duket se rreziku i zjarreve është larguar. Me temperatura 40 deri në 45 gradë Celcius Greqia po përjeton një nxehtësi të pazakontë. Mbrojtja Civile i lajmëron qytetarët me SMS në të gjithë vendin për "rrezikun ekstrem të zjarreve në ditët e ardhshme. "Po qe se disa vetë ende pyesin, nëse ndryshimi i klimës është realitet, ata duhet të vijnë këtu", u shpreh kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë një vizite në zonat ku kanë rënë zjarret.