Holanda - parajsa e narkotikëve/ Roberto Saviano: Vrasja e gazetarit investigativ

Evropë

Holanda - parajsa e narkotikëve/ Roberto Saviano: Vrasja e gazetarit investigativ

Më: 8 gusht 2021 Në ora: 14:20
Roberto Saviano

Unë kthehem tek ti, Holandë. U drejtohem holandezëve për t’i pyetur: a e njihni vërtet aq pak njëri-tjetrin? Vërtet Holanda ka një imazh kaq të ndryshëm për veten nga ai real?

Holanda është një nga vendet me kriminalitetin më të lartë në botë.

Nëse po më lexon tani, do t’i ketë ngritur vetullat me siguri. Ka dhe nga ata që kanë reshtur së lexuari menjëherë.

Shumica prej jush do të më ketë dërguar “në ferr”. Më dashamirësja do të ishte nëse do të më cilësonit si armik i vendit.

Por më jepni pak më shumë kohë, veç një çast…

Kur e quaj Holandën “një nga vendet më me kriminalitet në botë”, nuk i referohem krimit në rrugë.

Nuk e kam fjalën as një sistem gjyqësor, ku shiten dënimet kundrejt një tarife, as një polici apo qeveri që shërben tërësisht për ryshfete ose kartele droge.

Jo, ky nuk është aspak korrupsioni, të cilit i referohem!

Në të vërtetë, nga ky këndvështrim, jeni një vend me një strukturë të fortë institucionale, me një forcë policore të shëndoshë, me një sistem burgjesh të nivelit më të lartë.

Një vend ku të drejtat njerëzore dhe shoqërore respektohen.

Ajo që ju bën një nga vendet më me kriminalitet në botë, është sistemi juaj ekonomik: ju jeni bërë një territor në det të hapur; po, e di, ju nuk jeni zyrtarisht në listën e parajsave tatimore, por jeni në fakt.

Image

Ju keni tërhequr shumë kompani: Fiat, Ferrari, duke mos folur për kompanitë italiane; grupi Mediaset, ju keni degët e eBay, selinë e Google, njëzet e gjashtë kompani Nike.

Keni Ingka-n, kompaninë që menaxhon një nga zemrat që rreh brenda Ikea-s, ju keni Netflix.

E gjitha kjo është tërësisht dhe krejtësisht e ligjshme. Është krejtësisht e ligjshme dhe ju ka sjellë pasuri të menjëhershme. Shumë pasuri, falas dhe pa asnjë detyrim.

Në thelb: ju i lejoni të gjitha këto kompani të shmangin sistemin ligjor të vendeve të tyre, ju u jepni atyre ndihmë territoriale dhe kërkoni një përqindje të vogël në këmbim.

Por, e gjitha kjo ka një çmim.

Nëse tani e gjeni veten me një kryeqytet ku trafikantët e drogës veprojnë dhunshëm, si në çdo periferi të Lagos-it, gati për të vrarë një gazetar në qendër të Amsterdam-it, pikërisht siç u ekzekutua avokati Derek Wiersum, më 18 shtator 2019, është fryti për faktin se ata që komandojnë në mënyrë kriminale në Holandë sot, kanë një shans për të hyrë në pastrimin e parave si asnjë pjesë tjetër e Evropës.

Sistemi financiar holandez ka lejuar grupet kriminale të arrijnë në këtë lloj dinamike: kush urdhëron në Holandë, komandon zemrën e pastrimit të parave evropiane.

Dhe kushdo, që kundërshton biznesin e tyre, duhet të eliminohet.

Ata mund ta bëjnë këtë sepse paratë e tyre të pista punojnë në të njëjtat platforma, pa rregulla, si paratë e kapitalizmit bashkëkohor.

Kushdo që ka urdhëruar vrasjen e Peter de Vries, e di se kushdo që prek paratë e tij, do të prekë paratë e të gjithëve dhe ai e di se mund të luajë në këtë mundësi.

Për nevojën që Holanda të jetë komplotiste dhe të mos hedhë dritë mbi mekanizmat e saj financiarë.

Holanda nuk lejon vetëm korporatat e mëdha të kapitalizmit bashkëkohor të kenë përparësi tatimore.

Ka shumë privilegje të tjera, të cilat i bëjnë kompanitë të lëvizin me ju.

Mundësia që kompanitë “mëmë” të mos kenë praktikisht asnjë taksim, një sistem gjyqësor të shpejtë në shërbim të çështjeve financiare dhe pa burokraci; një parajsë për kompanitë shumëkombëshe, me një sistem konsulentësh tatimorë, kontabilistë, këshilltarë, administratorë të aftë për t’i menaxhuar paratë shpejt, me qëllimin e vetëm për të fituar para.

Ju keni sjellë të gjitha paratë që mundeni dhe, në sektorin financiar, është e pamundur të njihen paratë e pastra nga paratë e pista dhe të gjurmoni origjinën e tyre.

Sa herë që kapitali hyn në kufijtë tuaj, ju e pagëzoni atë si të ligjshëm dhe se keni menduar që do të krijojë atë që po ndodh?

“Mocro Maffia” është një organizatë shumë e fuqishme, organizata më e rëndësishme mafioze në Holandë, e fuqishme si në Belgjikë, ashtu edhe në Holandë.

Në fakt, në një strukturë marokene mbi baza etnike, por mirëpret bashkëpunëtorët nga Kongo, Surinami, sllavët dhe holandezët.

Ndoshta, një nga arsyet pse u vra gazetari i guximshëm, Peter de Vries, është sepse ai ishte dëshmitar në gjyqin e Marengo-s.

Italia do të kishte ditur sesi ta menaxhonte çështjen “Marengo”, ndërsa Holanda duhet të kishte përulësinë të pyeste vendet me një përvojë më të gjatë në luftimin e krimit.

Në vend të kësaj, gjyqi kundër shefit Ridouan Taghi vazhdon ngadalë, me rezultate hetimore shumë më të ulta se ato që mund të përftoheshin prej saj.

Epo, opinioni publik për Taghifor-in, ndoshta për shumë nga ata që po e lexojnë këtë, është se ai mbetet një nga kriminelët e shumtë, “emigrantë”, të cilët nuk kanë të bëjnë me jetën civile të Holandës.

Emigrantët që shiten në rrugë dhe vrasin njëri-tjetrin: të rremë.

Nëse ai është kaq i fuqishëm sot, është sepse mund të përdorë dy rrugë: Marokun, për të lejuar që drogat që mbërrijnë nga Amerika e Jugut të kalojnë dhe nga Holanda, për të qenë në gjendje të riciklojë.

Kushdo që është mik i mafies holandeze, është mik i sistemit ekonomik holandez.

Të gjithë duan të jenë partnerë të “Mocro Mafia-s”.

E dini përse?

Nëse mendoni për portin e Roterdamit, i cili është trajtuar gjithmonë për dërgesat e kokainës, e keni gabim.

Është për riciklim.

“Mocro Maffia” është shndërruar, nga një organizatë e mjerueshme e shitjes në rrugë, në një kompani mëmë financiare.

Holanda është një parajsë për paratë e narkotikëve.

Mendoni se demokracia holandeze nuk do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë? Është sistemi holandez që i ka bërë Taghi-t dhe “Mocro Mafia-n” kaq të fuqishëm.

Ka kaluar shumë pak kohë dhe informacionet janë të pakta, për të thënë pse u vra Peter de Vries.

Unë jam i bindur, si shumë vëzhgues, se roli i dëshmitarit në gjyqin Marengo është ndoshta shkaku kryesor i ekzekutimit të tij.

Roli i tij si dëshmitar ishte shumë i rëndësishëm, sepse nuk ishte vetëm formal, por ishte i një personi që i njeh mekanizmat kriminalë dhe mund t’i bëjë ato publike.

Bërja e tyre publike para një gjykimi, sepse mund të flasë për të dhëna, mund të flasë për lidhje.

Policisë mund t’i duhen muaj ose vite për të mbyllur një kanal furnizimi me kokainë ose riciklimi.

Një hetim gazetaresk mund të ndezë një dritë të menjëhershme dhe të detyrojë një organizatë të ndalojë përdorimin e atyre autostradave për riciklim, ose ato rrugë dhe kontakte politike për trafikun.

Kur flasim për “Mocro Mafia-n”, flasim për një organizatë që ka arritur t’i afrohet dhe të korruptojë presidentin e Suriname-s, Dési Bouterse.

Bëhet fjalë për një organizatë, e cila ka arritur të federohet me klanet malazeze, organizatat e fuqishme serbe që kanë pasur gjithmonë një prani në Holandë.

Ne po flasim për një organizatë që ka vrarë tashmë një gazetar, Martin Cook, të cilin ju holandezët e hodhët shpejt poshtë si vrasje të një ish-krimineli.

Në të vërtetë, ai u vra për veprimtarinë e tij gazetareske, por ju preferuat t’i kushtoni vëmendje të kaluarës së tij të trazuar.

Ky është reagimi juaj prej kohësh: janë marokenët, janë italianët, janë rusët dhe serbët. Ata janë emigrantë, aq të dobishëm, por edhe aq të rrezikshëm.

“Mbajtja e emigrantëve jashtë do të na bëjë të qëndrojmë larg krimit”.

Nuk është kështu. Këto botë, të cilat ju shpesh i përshkruani si të jashtme, të huaja, janë vetëm segmenti operacional i një konfederate krejtësisht holandeze të interesave.

Në thelb, e gjithë kjo masë kriminale ekziston në shërbim të sistemit financiar holandez, sepse sistemi financiar holandez, në një formë krejtësisht neutrale, nuk tërheq më asnjë rrjedhë ekonomike.

Ju holandezët e dinit emrin e Ridouan Taghi-t pak para se të arrestohej, vetëm në 2015, por në realitet ai kishte qenë në krye për shumë më gjatë.

Kjo është pikërisht ajo që po ndodh me gjithçka tjetër: qeveria juaj nuk mund të kuptojë ose t’ju tregojë se çfarë po bëheni: një ishull me para kriminale, të manovrueshme, një thesar për të fshehur frytet e evazionit fiskal.

Holanda është e pasuruar nga paratë që u merren kombeve të tjera: ju jeni bërë piratë financiarë dhe toka juaj është kthyer në një ishull të sulmuesve që fshehin paratë e tyre.

Në fund të fundit, me ishujt e vjetër dhe të vërtetë të piratëve, Aruba, Curaçao dhe Sint Maarten, ju keni mbledhur gjithmonë paratë e narkotikëve (dhe jo vetëm natyrisht) që vijnë direkt në bankat tuaja.

Ishujt “holandezë” kanë qenë gjithmonë një thesar i botës së krimit; qysh në vitin 1997 ishte e ditur për hetuesit se 14 banka ishin krijuar në Aruba nga kompani të lidhura me organizatat kriminale ruse, depozitat dhe transaksionet nuk kontrollohen në Karaibet Holandeze dhe pikërisht nga këtu paratë më të këqija të karteleve arrijnë në Amsterdam.

A është e mundur që politika të mos ketë debatuar kurrë për të gjitha këto? A ishte ai një element i konfrontimit të vërtetë në fushatat elektorale?

Peter de Vries nuk u vra thjesht nga Engjëjt e Vdekjes (kështu preferojnë ta quajnë veten, grupi i bosëve të Taghit).

Arma në kokë iu vu nga i gjithë sistemi holandez, i cili tani është një sistem kriminal me të cilin De Vries po luftonte.

Një sistem që nuk ndryshon dhe një qeveri që nuk ndihet përgjegjëse për këtë, është një qeveri bashkëpunëtore.

 Si u bëtë ju, Holandë e dashur dhe e lirë, zemra e kalbur e Evropës pa u rebeluar dhe kundërshtuar?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat