Përveç në Francë, protesta për pasaportën e covid po mbahen edhe në Romë

Evropë

Përveç në Francë, protesta për pasaportën e covid po mbahen edhe në Romë

Më: 8 gusht 2021 Në ora: 14:49
Foto

Në Francë dhe Itali u mbajtën protestat e radhës kundër masave të reja kufizuese dhe thirrjes për vaksinim kundër koronavirusit.

Ministria e Brendshme franceze njoftoi se mbi 230 mijë veta marshuan në gjithë vendin.

Demonstruesit kërkuan për të katërtën fundjavë që t'u respektohen liritë dhe bënë apel kundër mbajtjes në fuqi të rregullit që i detyron personat të paraqitin një pasaportë shëndeti ose tampon në bar-restorante, kinema dhe muze ose gjatë udhëtimeve të gjata me avion e trena, për të vërtetuar se janë të imunizuar nga covid-19.

"Ky është shantazh. Nuk më interesojnë shumë restorantet; muzetë, kinemaja më pëlqejnë por prapë mund të bëj pa to, por që të mos hysh në spital pa pasaportën e shëndetit, kjo është tejet serioze."

Francezët që demonstruan të shtunën në Paris, Nisë apo në Lion thonë se nuk janë kundër vaksinave antikovid, por kundër kartës së shëndetit që kufizon jetën e tyre shoqërore.

Pasaporta e Gjelbër për covid-19 kërkohet tani edhe në Itali në muzetë, në arenat sportive, në kinema dhe në restorantet e mbyllura.

Karta është e detyrueshme për mësuesit, stafin universitar dhe studentët e shkollave të larta.

Në sheshin qendror të Romës, rreth 1 mijë italianë përsëritën parullat kundër pasaportës së covid, ndërsa disa mbanin stemën e Yllit të Davidit, simbol që dikur u vihej me detyrim çifutëve gjatë regjimit nazist në Gjermani.

Protesta kundër pasaportës dhe vaksinave të covid u mbajtën edhe në Qipro, ku qeveria ka udhëzuar vaksinimin e fëmijëve 12-15 vjeç.

Të tria vendet thonë se po rrezikohen nga vala e katërt e pandemisë e cila këtë herë po shtrihet shpejt nga varianti Delta i koronavirusit, që po rrit shifrat e infektimit ditor kudo nëpër botë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat