Italia regjistron temperaturën më të lartë në Evropë

Evropë

Italia regjistron temperaturën më të lartë në Evropë

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Ishulli jugor italian i Sicilisë mund ta ketë regjistruar temperaturën më të lartë në Evropë – 48.8 gradë.

Këtë temperaturë e raportuan autoritetet rajonale, por ajo duhet të vërtetohet nga Organizata Botërore e Meteorologjisë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Sipas kësaj organizate, rekordi në fuqi i temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Evropë është shënuar në vitin 1977 në Athinë të Greqisë.

Vala më e re e vapës në Itali po shkaktohet nga një anticiklon i emëruar Lucifer, i cili po vjen nga Afrika.

Është parashikuar që ky anticiklon të zhvendoset drejt veriut përgjatë pjesës së brendshme të Italisë, duke i rritur temperaturat edhe në qytete si Roma.

Ministria e Shëndetësisë e Italisë ka lëshuar paralajmërime të kuqe për vapë ekstreme në disa rajone dhe numri i qyteteve që përballen me rrezikun nga temperaturat e larta pritet të rritet nga tetë në 15 deri të premten.

Vala e vapës e Mesdheut, e cila në disa shtete i ka sjellë temperaturat më të larta në dekadat e fundit, ka shkaktuar zjarre në natyrë në pjesë të mëdha të jugut të Italisë. Rajonet më të prekura janë Sicilia, Kalabria dhe Pulia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat