Nëntë persona janë gjetur të gjallë pas rrëzimit të një helikopteri më 12 gusht në Gadishullin Kamçatka të Rusisë, raportuan mediat ruse duke cituar autoritetet lokale.
Ekipet janë duke i kërkuar edhe shtatë personat tjerë që gjendeshin në bordin e helikopterit. Ministria e Emergjencave e Rusisë tha se në bordin e helikopterit ishin 13 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.
Marina Volkova, zëvendësministre e Shëndetësisë në Kamçatka, tha se nëntë persona i kanë mbijetuar aksidentit.
Shtatë nga të mbijetuarit ishin pasagjerë dhe dy ishin anëtarë të ekuipazhit, raportoi TASS, duke cituar një përfaqësues të shërbimit të urgjencës.
Helikopteri Mi-8 ishte me turistë nga Moska dhe Shën Petersburgu, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.
Raportohet se helikopteri është zhytur në një thellësi prej 100 metrash në një liqen.
Gadishulli Kamçatka është më shumë se 6.000 kilometra në lindje të Moskës dhe është i popullarizuar në mesin e turistëve për peizazhin dhe natyrën e tij./REL