Finlanda nis desantë për evakuimin e finlandezëve

Evropë

Finlanda nis desantë për evakuimin e finlandezëve

Nga: Lili Verdha Më: 21 gusht 2021 Në ora: 22:27
Finlanda njoftoi se kontribuoi me 3 miljonë euro në Fondin e posaçëm të UNHCR-s në ndihmë të refugjatëve afganë

Pas diskutimit dje në Seancën jashtë rradhe të Parlamentit të Finlandës (ende me pushime) dhe pas miratimit, po dje, nga Presidenti Sauli Niinistö, sot mbërriti në Kabul  Skuadra speciale Ushtarake  për evakuimin e diplomatëve dhe qytetarëve finlandezë e afganë me banim në Finlandë, si edhe të bashkëpunëtorëve afganë (të finlandezëve) dhe familjeve të tyre - gjithsej 240 vetë. Prej tyre 49 vetë kanë mbërritur tashmë këtu  gjatë këtyre tre ditëve të fundit.

Fillimisht Finlanda njoftoi se kontribuoi me 3 miljonë euro në Fondin e posaçëm të UNHCR-s në ndihmë të refugjatëve afganë. Po kështu, Ministria e Jashtme pati deklaruar se do të evakuoheshin vetëm 130 vetë, më pas, dhe deri dje, u fol për 170 vetë, por sot, në një mesazh në Twitter, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 240 persona.

Në fakt, që dje, gjatë diskutimeve në Parlament, u bë e ditur nga diskutantët e të 5 partive të Koalicionit Qeveritar, se Finlanda ka kapacitet strehimi në kampe refugjatësh për gati 1.000 persona, bile edhe për 2.000 vetë. Sidoqoftë, gjatë diskutimeve, shifra të tilla u lanë të shqyrtohen nga Vjeshta, kur rifillojnë edhe punimet normale të Parlamentit. Megjithatë, dje i gjithë Parlamenti, pozitë dhe opozitë, ishte pro operacionit tė evakuimit, besuar Ministrisë së Mbrojtjes , e cila përzgjodhi një dyzinë ushtarakësh të specializuar për aksione të vështira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat